Xhevat Lloshi prezanton “Thesaret për gjuhën shqipe…” në “Klubin e leximit pranë muzeut”.

Xhevat Lloshi prezanton “Thesaret për gjuhën shqipe…” në “Klubin e leximit pranë muzeut”. Dr. Dorian Koçi: pas leximit të librit do të kemi një lexim krejt ndryshe për historinë e gjuhësisë shqiptare.

A doni më për shqiptarët, cilët janë dhe çfarë kanë bërë? Gjithçka e dyshimtë për gjuhën a prejardhjen e tyre merr përgjigje nga vëllimi “Thesaret për gjuhën shqipe të Shqipërisë biblike 1815-1883” një përmbledhje letërkëmbimesh që profesor Xhevat Lloshi na e sjell me aq skrupolozitet.
Takimi i përjavshëm “Thesaret për gjuhën shqipe të Shqipërisë biblike 1815-1883”, i cili u zhvillua në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar, iu kushtua prof. Xhevat Lloshi ku u fol gjerësisht për librin e tij më të ri: “Thesaret për gjuhën shqipe të Shqipërisë biblike 1815-1883”. Duhet theksuar se “Klubi i leximit pranë muzeut”, është logoja e veprimtarive periodike javore që po zhvillohen në Muzeun Historik Kombëtar, e cila mbështet gjithashtu fushatën kombëtare të leximit “Takohemi për një Libër” iniciuar nga Ministria e Kulturës.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën përshëndetëse të tij me këtë rast tha se korpusi i veprave të Xhevat Lloshit është një ndihmesë e çmuar që saktëson shumë gjëra në fushën e albanologjisë, të gjuhësisë e më gjerë se kaq. Nga ana e tij autori vlerësoi nismën e Muzeut Historik Kombëtar, duke u shprehur për auditorin se leximi merr vlerë në këto kohë kur më shumë përdoret celulari se sa libri.
Por si erdhi “Thesare për gjuhën shqipe…” deri në duart e lexuesve?
Të paktën 45 vite më parë dhe pikërisht në pranverën e vitit 1972, për herë të parë shkuan në Londër dy studiues shqiptarë. Ata ishin Arben Puto dhe Xhevat Lloshi. Asokohe ishin hapur arkivat britanike për kohën e Luftës së Dytë Botërore. Xhevat Lloshi kujton se i zhytur në arkivat e Londrës, papritur zbulon disa dokumente krejtësisht të panjohura rreth Shqipërisë, që i përkisnin Shoqërisë Biblike të afro 200 vjetëve më parë. Këto dokumente lidheshin me fillesat e shqipes dhe librit shqip. Që prej asaj kohe do të niste puna e këtij studiuesi për të gjetur sa rrënjët e shqipes, por edhe të librit shqip.
Pjesën më të madhe të 590 dokumenteve e përbëjnë raportet dhe relacionet e “Shoqërisë Biblike” lidhur me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe. Parimi i “Shoqërisë Biblike”, ishte që bibla të përkthehej në të gjitha gjuhët, prandaj nuk pati asnjë pengesë nga dy kishat e tjera, ajo ortodokse dhe katolike.
Për ilustrim mund të citojmë se në letrën e R. Pinkertonit për Londrën në gusht të vitit 1816, që është në faqe 4 të librit thuhet: “Pajisja e shqiptarëve të paktën me Dhiatën e Re në gjuhën e tyre është një objekt që e meriton në shkallën më të lartë të tërheqë vëmendjen e shoqërisë Biblike Britanik edhe për vendet e huaja. Ky komb zë një pjesë të madhe të Ilirikumit të lashtë dhe të Epirit ndërsa flet një gjuhë e cila duket se nuk ka asnjë afri gramatikore me sllavishten turqishten, greqishten ose latinishten. Shumica e shqiptarëve janë të besimit të krishterë dhe i përkasin kishës lindore: pjesa tjetër janë zhytur në një padituri kaq të thellë për parimet e krishterimit saqë kanë përqafuar besimin mysliman”.
Shkrimet e shenjta në gjuhën shqipe, pavarësisht nga afabeti që përdorej, filluan të botoheshin dhe të përhapeshin kudo. Në atë kohë dy kishat e mëdha të Shqipërisë nuk e kishin në projektet e tyre përkthimin në gjuhën shqipe të biblës. Mendësia e tyre ishte se fjala e Zotit duhej të predikohej ose në greqisht, ose në latinisht. Në letrën e C.Hamlinin nga Bebeku për T.Lloyd Philipsin nga Stambolli në vitin 1857 mes të tjerash thuhet: “Kisha greke ka bërë përpjekje të mëdha për t’i helenizuar shqiptarët duke ngritur shumë shkolla greke…”
Çështë e vërteta, mendësia e kishave tradicionale në Shqipëri, e asaj katolike dhe ortodokse do të zëvëndësohej nga mendësia pragmatiste e kishës protestante, e cila kishte një koncept të ri për përhapjen e shkrimeve të shenjta.
Përkthimi i Biblës fillimisht iu besua Vangjel Meksit, i cili u nda nga jeta pa e përfunduar tërësisht, e më pas Konstandin Kristoforidhit. Dhe në qershor të 1957 Kostandin Kristoforidhi i kontaktuar për të përkthyer Biblën, harton si raport për Agjencinë “Memorandum për gjuhën shqipe” e më pas “Shënime për Shqipërinë. Gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta”.
Më pas Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, zgjodhi të lexonte disa faqe nga libri në fjalë. Ai u shpreh gjithashtu se pas leximit të dokumenteve botuar në “Thesare të gjuhës shqipe të shoqërisë biblike” do të kemi një lexim krejt ndryshe për historinë e gjuhësisë shqiptare.
Në fund të këtij takimi, Prof. Dr. Xhevat Lloshi i dorëzoi arkivit të Muzeut Hiistorik Kombëtar dy faksimile, një të alfabetit të parë shqip botuar në vitin 1825 dhe ftesën e hartuar për Kongresin e Manastirit.

23593630_1740657139330385_3344701411628901624_o 23592340_1740657082663724_9117546894575292219_o 23668782_1740657739330325_3721197970524939803_o 23593566_1740657505997015_7011160151004793206_o 23592318_1740657449330354_3696578388565622976_o 23592174_1740657255997040_1985702308217146305_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *