Sot, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua seminari me titull: “Whosever saves a single life, saves an entire universe”. Historia e një familje shqiptare që ka kontribuar në shpëtimin e hebrenjëve.
Në hapjen e aktivitetit ishin të pranishëm Ambasadori i Izraelit në Tiranë, z.Boaz Rodkin; Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Dr. Skënder Asani, Dr. Efrat Kedem Tahar, Këshilltare për Emigracionin dhe Integrimin, si dhe shumë mësues e të ftuar.
Ambasadori i Izraelit në Tiranë, z.Boaz Rodkin dhe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, vunë theksin në rëndësinë dhe veçantinë e kësaj ngjarje, ku përgjatë luftës, 2,000 hebrenj kërkuan strehim në Shqipëri. Shumica e hebrenjve u trajtuan mirë nga popullata lokale shqiptare, pavarësisht faktit se vendi ishte i pushtuar së pari nga Italia fashiste, dhe pastaj nga Gjermania naziste. Shqiptarët, me një traditë të mikpritjes të njohur si besa, shpesh strehuan refugjatët hebrenj.