Sot, në kuadër të 105-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Rumani-Shqipëri, në Muzeun Historik Kombëtar u zhvillua konferenca me titull “Tiranë – Bukuresht: Historia e Zhvillimit Social dhe Kulturor e Dy Kryeqyteteve”.
Në këtë konferencë morën pjesë personalitete të njohura publike shqiptare dhe rumune, të fushave të diplomacise dhe historisë. Çështjet që u diskutuan ishin me shumë interes dhe kishin të bënin me lidhjen social-kulturore të dy shteteve tashmë europiane.
Hapjen e kësaj konference e mbajti Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi, fjalimi i të cilit u pasua nga prezenca dhe përshëndetja e Ambasadorit të Rumanisë në Shqipëri, SH.T.Z Mircea Perpelea.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z. Dorian Koçi, foli mbi kontributin e kolonisë shqiptare në Bukuresht në lëvizjen kombëtare shqiptare të shekullit XIX.
Bashkëjetesa e hershme gjuhësore midis shqiptarëve dhe rumunëve u kumtua nga Prof. Dr. Mimoza Karagjozi-Kore.
Konferenca vazhdoi me temën “Princesha shqiptare Dora D’Istria dhe aktiviteti I saj”, përgatitur nga Prof. Asoc. Dr. Eva Hyska.
Prof. Paskal Milo mbylli serinë e kumtesave duke folur mbi marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Rumani në kuadrin e partneritetit Euro-Atlantik.
Fjala përmbyllëse u mbajt Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z. Ardit Bido.
Më pas të pranishmit vizituan edhe ekspozitën e hapur me këtë rast me objekte, libra dhe gazeta, ku Muzeu Historik Kombëtar ekspozoi disa objekte, pjesë e fondit muzeor, mes të cilave edhe Kallamarin e përdorur nga Asdreni dhe Flamurin e Kolonisë Shqiptare në Rumani, përdorur gjatë viteve 1938-1953.
Aktiviteti u organizua nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën e Rumanisë në Shqipëri, Muzeun Historik Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.