Për të folur mbi këtë libër ishte një panel i zgjedhur, i përbërë nga: Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Profesor Bardhyl Musai-Botues, Mal Berisha-Përkthyes i veprës “Naltësimi i Iskanderit” studiues, ish-ambasador.
Të pranishmit shprehën vlerësimet, mbresat dhe përshtypjet e tyre mbi librin “The Rise of Iskander” botuar në vitin 1833 nga Benjamin Disraeli, i cili përveç karrierës së tij në politikë renditet ndër njerëzit e shquar, edhe për faktin se nga një njeri i elitës intelektuale u kthye në drejtues shteti. Novela “Naltësimi i Iskanderit” është shkruar në një kontekst historik kur shqiptarët po fillonin zgjimin e tyre kombëtar dhe figura e Iskanderit ishte pishtari ndriçues në udhën e nisur.
Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, u shpreh se: “Autori përshkruan takimin e Skënderbeut me Huniadin dhe marrëveshjen që ata bënë për të mbrojtur krishtërimin; marrja e fermanit nga mëkëmbësi i sulltanit dhe përdorimi si dokument para guvernatorit turk të Krujës për lëshimin e qytetit pa luftë etj. Të gjitha këto elemente e bëjnë novelën e Benjamin Disraelit shumë aktuale për lexuesin shqiptar, duke menduar se vepra është shkruar në vitin 1833 dhe shkrimtari e dinte aq mirë historinë e lavdishme të Skënderbeut”.