“Kur nisa këtë cikël isha vërtetë mes një kaosi mendimesh. Kishte shumë imazhe në kokën time, të cilat endeshin me shpejtësi dhe në mënyrë kaotike rreth meje, aq sa ishte e vështirë të dalloja diçka konkrete në to.
Por me të realizuar disa skica, diçka filloi të bëhej paksa konkrete dhe të merrte forma të dallueshme dhe tepër specifike.
Ishin objekte që ne i shohim çdo ditë, ashtu siç shohim edhe trupin tonë ku të gjitha këto objekte ishin të ndërthurura me njëra-tjetrën duke më përcjellë kujtime në një mënyrë tepër komplekse, por edhe imazhin e një kujtimi që e fshija në një sunduk.
Çdokush ka sundukun e tij.
Asgjë nuk është absolute dhe secili prej nesh ka copëzat e veta, të cilat janë mjaft interesante nga ajo çka jetuar, por këto copëza sado të pakta mblidhen për të krijuar identitetin tënd, një fytyrë origjinale për të cilën gjithnjë je në kërkim.
Këto janë copëza që shënojnë kujtime nga çdo e kaluar, janë elemente që mund të specifikojnë fazat e çdo rënie apo ngritje dhe pavarësisht gjithçkaje çdo copëz e kësaj natyre të përket vetëm ty, të cilën për aq kohë sa e mbledh, preferon ta ruash me fanatizëm.
Këto copëza formojnë atë çka ne duam teksa futen në një kuti e ruhen gjatë brenda saj si një xhevahir i shenjtë dhe askush nuk ka të drejtë të synojë një hap drejt saj pa ja dhënë t’i nderin dhe mundësinë”, e përshkruan Kristi Baba ekspozitën e tij personale, të cilën e çeli pasditen e 7 Shtatorit në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi, duke vlerësuar punimet e Kristi Babës, tha se, në secilën nga 55 punimet e tij shfaqet bukur emocioni i brendshëm.
“Ai luan me portretin e femrës në mënyrë grafike dhe ndjehet trajtimi i elementit bardh e zi. Në të ardhmen Kristin pa dyshim do ta shohim edhe në shumë ekspozita të tjera”, u shpreh z.Koçi.