Një leksion i hapur për historinë, pikërisht nëpër pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar. Në vazhdën e veprimtarive me këtë tematikë, ambientet e Muzeut u vizituan nga studentët e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Dega Histori, të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Kjo vizitë, e cilësur ndryshe dhe në kuadër të ekspeditës mësimore në terren, kishte për qëllim njohjen nga afër të studentëve me historinë dhe objektet muzeale, të cilat në Muzeun Kombëtar ekspozohen në shtatë pavijone të ndryshme. Guidën e udhëhoqi Përgjegjësi i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve, z.Ledio Xhorxhi. I pranishëm në këtë leksion të hapur ishte dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi. Studentët treguan interes dhe e gjithë vizita u konceptua si një bashkëbisedim ku nuk munguan dhe shumë pyetje të cilat morën përgjigje nga udhëheqësi i guidës.
