Ky film dokumentar ka për skenarist z. Lia Rama dhe z. Enver Kushi. Regjia i përket Mjeshtrit të Madh, z. Kujtim Gjonaj dhe drejtor fotografie z. Spartak Papadhimitri.
Dokumentari flet për familjen e Dinejve, një familje e rëndësishme dhe e madhe çame. Dinastia e Dinejve zë fill me Abedin Pashë Dino, i cili ka qenë nëpunës e politikan i Perandorisë Osmane, ideolog i çështjes kombëtare shqiptare dhe rilindas.
Vazhdon më tej me Rasih bej Dino, i cili ishte politikan, diplomat dhe një figurë e lëvizjes kombëtare shqiptare, në fillim të shekullit të 20-të.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, e hapi aktivitetin duke thënë se: “Takime të tilla nuk kanë nevojë për protokoll. Janë takime zemrash dhe miqsh. Kam nderin të prezantoj një dokumentar shumë të rëndësishme për kombëtarinë tonë të perbashkët. Kjo familje e madhe e Çamërisë ka dhënë një kontribut në historinë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve. Ky film na bën të mundur të depërtojmë sa më thellë në familjen e madhe të Dinejve”.
Më pas skenaristi Enver Kushi theksoi se me regjizorin Gjonaj kam patur një bashkëpunim shumë të frytshëm prej shumë vitesh. “Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar për këtë dokumentar, pasi dhe unë jam një djalë i çamërisë, vazhdoi më tej skenaristi Enver Kushi. Kujtimi i ka bërë një lapidar të pavdekshëm Çamërisë sonë. Do ta mbyllja me një varg kuptimplotë të Abedin-it, disa ditë para vdekjes, i cili thotë: “Fëmijët e vitit 3000 do qeshin e tallen me ne”. Ne çamët, kemi një përgjegjësi të madhe për brezat që do të vijnë dhe duhet të investojmë shumë për historinë e vendit tonë”.