Të pranishëm në këtë ceremoni ishte një panel i zgjedhur i përbërë nga Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar; Znj.Merita Bajraktari-McCormack, Vatrane Shqiptaro-Amerikane, Prof. Shaban Murati si edhe shume studiues e dashamirës.
Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, u shpreh se: “Shoqëria “Vatra” përbën pa dyshim një nga historitë më të suksesshme të organizimit të shqiptarëve përgjatë shekullit të kaluar. E lindur dhe e organizuar si një kopje e shoqërive të tjera që shqiptarët patën krijuar në Rumani, Bullgari, Egjipt e Turqi, “Vatra” pati meritën që duke përqafuar mentalitetin dhe etikën e punës të vendit ku u krijua të shndërrohej në një përfaqësi dinjitoze të shqiptarëve në botë dhe të kontribuonte si askush tjetër në themelimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar”.
Gazeta Dielli, është organi më i vjetër mediatik në gjuhën shqipe në ekzistencë të pandërprerë mbushi 110 vjet. Faqet e gazetës që vazhdon të informojë komunitetin shqiptaro-amerikan kanë qenë një pasqyrë e furtunave historike nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar, por edhe një forum për opinione e për debatin e hapur publik.
Përgjatë ceremonisë u dhanë dhe çmimet: Dr Ernestina Gjergj Halili, Reportazhi më i mirë, Megi Përmeti-Ese për stërgjyshin e saj Aqif Përmeti, Lindita Komani-Ese, Andon Nase Andoni-Libër monografi për editorët e “Diellit”, Roland Qafoku-Libër, Nikolin Kurti dhe Nikollë Loka-Libër, Entela Komnino-Libër.