“Skënderbeu nga fëmijët” është një ekspozitë në pikturë dhe skulpturë kushtuar Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, organizuar nga Qëndra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut bëri që fëmijët të mund të realizojnë krijime origjinale siç ata e përceptojnë heroin e tyre të zemrës: simbol i kombit, luftëtarin e pathyeshëm e kalorësin zemërmadh.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, falenderoi Qëndrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë për këtë bashkëpunim dhe uroi fëmijët pjesëmarrës në ekspozitë për punimet e tyre. Dr. Koçi i ftoi të gjithë fëmijët, që së bashku me prindërit e tyre, të vizitojnë edhe ambientet e muzeut për të marrë sa më shumë informacion dhe për të hyrë në dinamikat dhe në zhvillimet e vetë historisë sonë kombëtare nëpërmjet identifikimit të figurave dhe ngjarjeve tona të rëndësishme historike.
Kjo ekspozitë u kurua nga Sektori i Krijimtarisë Artistike pranë Qëndrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, nga përgjegjësi i sektorit, z. Fatjon Sulstarova, dhe specialistët Anisa Sala dhe Ilir Kllojka.
Fëmijët e talentuar përmes 80 punimeve të realizuara në teknika të ndryshme në pikturë, skulpturë dhe vizatim në akuarel, plastelinë, laps akrelik, grafika, paraqesin me origjinalitet nëpërmjet botës së ngjyrave dhe materialeve të ndryshme portretin e Skënderbeut si dhe tablo dhe krijime të frymëzuara nga historia e betejave dhe ngjarjeve të rëndësishme të kohës. Fëmijët pjesëmarrës ishin të moshave të ndryshme nga 7-13 vjec. Punimet e kësaj ekspozite janë përzgjedhur si më të mirat të realizuara në rrethin e pikturës dhe skulpturës pranë Qëndrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.