U zhvillua sot, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ceremonia e shkëmbimit të botimeve në logon e Muzeut Historik Kombëtar dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike. Kjo gjë u arrit falë nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis dy institucioneve. Neni 2 i këtij memorandumi përfshin pikërisht shkëmbimin e botimeve ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike ku, Muzeu Historik Kombëtar do të ofrojë serinë e revistës Studime Muzeologjike, si dhe botime te tjera, ndërsa Akademia e Studimeve Albanologjike do të ofrojë botimet e saj.
Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se: “Është kënaqësi e veçantë që nëpërmjet këtij bashkëpunimi që kemi nënshkruar të jetë hapi i parë i një bashkëpunimi të ngushtë, 300 librat e marra do pasurojnë biblotekën tonë çka do na japi mundësinë që biblioteka e Muzeut Historik Kombëtar të kthehet në një bibliotekë për studentët e historisë dhe filologjisë”.
Drejtori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Akademik Prof. Dr. Marenglen Verli, u shpreh se: “Kjo marrëveshje do na çojë në bashkëpunime të tjera akoma më të mëdha, duke i ofruar njëri-tjetrit atë çfarë disponojmë, shkëmbimin e ambienteve dhe kapaciteteve në funksion të organizimeve dhe aktiviteteve të ndryshme, gjithashtu gjej rastin të falenderoj dhe drejtorin për nismën dhe vizionin që do ti japi Muzeut Historik Kombëtar”.