Në datat 5-13 Nëntor 2018, pranë Muzeut Historik Kombëtar, do të zhvillohet trajnimi Re-Org Shqipëria. Trajnimi mundësohet nga një bashkëpunim i Muzeut Historik Kombëtar, ICOM Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës, ICOM i Europës Juglindore (ICOM SEE), ICOM dhe ICCROM.
Për herë të parë, një trajnim mbi menaxhimin e koleksioneve muzeale, sipas metodologjisë Re-Org të hartuar nga institucione lider në këtë fushë si ICCROM dhe UNESCO zhvillohet në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar mundëson hapjen e fondeve muzeale për këtë trajnim, në të cilin do të marrin pjesë 24 muzeologë nga 13 muze kombëtarë nën Ministrinë e Kulturës dhe punonjës të koleksioneve arkeologjike dhe etnografike nën Ministrinë e Arsimit.
Trajnimi i koordinuar nga ICOM Shqipëria dhe Muzeu Historik Kombëtar, i drejtuar nga katër mentorë nga ICCROM dhe Europa Juglindore, do të jetë teorik duke u fokusuar në rëndësinë e menaxhimit të koleksioneve muzeale, si edhe praktik ku të gjithë pjesëmarrësit do të marrin pjesë në një riorganizm të fondeve muzeale të Muzeut Historik Kombëtar.