Në kuadër të Vitit Kulturor Austri-Shqipëri, më 26-27 janar të vitit 2018 në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar u organiza konferenca shkencore “Austro – Hungaria dhe Shqipëria në vitet 1916 – 1918”, aktivitet i organizuar në sajë të bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës, Muzeut Historik Kombëtar, Ambasadës së Austrisë në Tiranë dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike. Në konferencën shkencore morën pjesë studiues të shumtë të shkencave të albanologjisë, vendas dhe të huaj si: Prof. Dr. Paskal Milo, Prof. Dr. Anila Omari, Prof. Dr. Valentina Duka, Prof. Dr. Luan Perzhita, Prof. Ass. Ledia Dushku, Prof. Dr . Aljula Jubani, Prof. Dr. Beqir Meta, Prof. As. Dr. Izer Maksuti, Prof. Dr. Proletar Hasani, Dr. Dorian Koçi, Dr. Kurt Gostentschnigg, Dr. Ilir Kalemaj, Dr. Marenglen Kasmi, Dr. Rovena Vata, Dr. Tamara Scheer, Dr. Skënder Bushi, Dr. Enriketa Pandelejmoni (Papa), Dr. Gentiana Kera, Dr. Esmeralda Agolli.
Një vit pas përfundimit të Konferencës “Austro-Hungaria dhe Shqipëria 1916-1918” që nisi vitin kulturor Austri-Shqipëri, monografia që promovohet është një punim me 20 kumtesa që përfshijnë kontributet austriake në themelimin e një administrate publike moderne, politika austro-hungareze në rajon, ndikimet në stabilitetin financiar, krijimin Komisisë Letrare, zhvillimet urbane, gërmimet arkeologjike në Apoloni e themelimin e Muzeut Kombëtar etj.
Në fjalën e tij, Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar tha se në tërësi, kumtesat e publikuara sot në aktet e konferencës, na japin një panoramë, përbëjnë një dëshmi, një dokument dhe një kontribut, i cili do t’i shërbejë brezave për njohjen e kësaj periudhe në historinë e Shqipërisë, e cila krahas vështirësive mbizotërohet nga zhvillime të shumta në fushën e kulturës, ekonomisë, infrastrukturës, ku njihet pa dyshim kontributi austro – hungarez. Këto aktivitete ndërtojnë ura komunikimi midis dy popujve, na bëjnë të vlerësojmë historinë tonë, ta njohim detaje të saj, të vlerësojmë të shkuarën që të krijojmë një të ardhme më të mirë. Dr. Koçi falënderoi në radhë të parë të gjithë ata që konceptuan një aktivitet të tillë dhe që e materializuan me prezencën dhe me kontributet e tyre.
Në fjalën e Shkëlqesisë së Tij, Z. Johann Sattler Ambasador i Republikës së Austrisë në Tiranë, midis të tjerash theksoi se kumtesat e historianëve shqiptarë dhe austriakë që kanë shkruar në këtë libër janë një rizbulim i një të kaluare jo shumë të largët, një kontribut domethënës për vitin kulturor Austri-Shqipëri 2018 me moton “Të rizbulojmë të përbashkëtat”. Periudha kohore prej 2 vite e gjysmë (1916-1918) në administrimin ushtarak austro-hungarez në Shqipëri nuk ishte përcaktuese për intensitetin e zhvillimeve dhe raporteve midis dy popujve. Të tilla mund të rendisim ndërtimin e hekurudhës së parë shqiptare, hapjen e më tepër së 230 shkollave në gjuhën shqipe, ndërtimin i urave, ndërtimin e 650 km rrugë të reja, organizimin e institucionit të parë gjuhësor “Komisia Letrare Shqipe”, organizimin e ekonomisë së strukturuar, e administratës moderne, organizimin ushtarak, zhvillimin e muzeologjisë dhe arkeologjisë moderne shqiptare dhe kryerjen e censusit të parë në popullsinë shqiptare.
Falënderojmë ambasadorin austriak në Tiranë, Shkëlqesinë e Tij, Z. Johann Sattler dhe Ambasadën Austriake për mbështetjen e saj në këtë aktivitet dhe për realizimin me sukses dhe në kohë të botimit. Një falënderim special shkon të gjithë pjesëmarrësve në konferencë, të cilët kontribuan me kumtesat e tyre.