“Nuk mendoj se Shqipëria do të kishte një pasaportë më të mirë identiteti në botë, sesa vepra e virtytshme e Skënderbeut”.

Kështu do të shprehej Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar në promovimin e librit “Skënderbeu në vendet nordike” me autor Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, aktivitet i përbashkët mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante. Botuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ky libër paraqet këndvështrime të reja për Heroin Kombëtar të shqiptarëve.
Përshëndetën aktivitetin autorët Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, si edhe Prof. Sadik Bejko.
Në fjalën e tij Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, ndër të tjera tha se: “Ky është një libër i munguar prej kohësh, sepse nuk ka pasur një informacion për Skënderbeun nga vendet nordike. Dhe ky informacion vjen tashmë i plotë në këtë libër me studime të mbledhur nga Xhevat Lloshi dhe John Quanrud me studimet e John Quanrud (2018) “Albanoi dhe Latinoi në historinë e Mihail Ataliatit”; Rolf Kodderitzsch dhe Torsten Meissner (1990) “Shqipëria në prozën letrare të vjetës nordike”; Xhevat Lloshit (2005) “Skënderbeu në penën e historianit të madh Holberg”; Ludvig Holberg (1739) “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, prijësi dhe heroi më i madh në histori”; Sir William Craigie (1949) “Poezia romantike e Islandës”; Finnbogi Gudhmundsson (1985) “Skënderbeu në burimet islandeze” dhe M. J. Driscoll (2007) “Skënderbeu: një hero shqiptar me petk islandez”. Kontaktet shqiptare me vendet skandinave nuk kanë qenë të jashtëzakonshme, por ky studim na sjell më afër nëpërmjet figurës së Skënderbeut. Nuk mendoj se Shqipëria do të kishte një pasaportë më të mirë identiteti në botë, sesa vepra e virtutshme e Skënderbeut”.
“Bashkëpunimet me Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante do të vazhdojnë edhe më tej me studime e promovime të tjera. Skënderbeu tashmë e ka nisur marshimin e vet në vendet nordike”, do të përfundonte Dr. Koçi.

Prof. Sadik Bejko tha se: “Libri sjell të dhëna mbi historinë, gjeografinë, gjuhën, dhe letërsinë e vendeve nordike, shqyrton me prova dokumentare dukurinë e kontakteve të hershme midis shqiptarëve dhe skandinavëve, kontakte të gjysmës së parë të shek. XI, shumë kohë më përpara epokës së Gjergj Kastriotit”.

Dr. John Quanrud, pasi falenderoi drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar për mundësimin e këtij aktiviteti, do të shprehej se: “Është një privilegj i madh të jem këtu mes jush dhe të prezantoj librin “Skënderbeu në vendet nordike” në këtë vit jubile të Skënderbeut. Gjergj Kastrioti Skënderbeu është një fenomen ndërkombëtar dhe shpresoj që ky libër t’i hapë rrugë studimeve të tjera të rrugëtimit të kësaj figure. Jemi në një kohë ideale për studime historike në Shqipëri. Jam shumë i bindur se të rinjtë shqiptarë do të thellojnë studimet akademike në histori”.

Sipas Prof. Xhevat LLoshit, në këtë libër veç asaj që me zbulimet në letërsinë dhe në trajtesat historike të autorëve nga vendet nordike zgjerohen njohuritë tona mbi gjuhët dhe gjeografinë e shtrirjes së figurës së Skënderbeut, provohet dhe se kjo figurë, përkundër disa intelektualëve e historianëve të sotëm, nuk është montim i Rilindjes shqiptare, por një fakt i historisë botërore.
“Ky libër shënon një sukses në studimet tona mbi Skënderbeun. Libri hap shteg dhe për punime më të thelluara mbi këtë lëndë që paraqet”, përfundoi autori i librit Prof. Xhevat Lloshi.

34663531_1982810871781676_7562956595257147392_n 34633242_1982810848448345_42834554951565312_n 34708758_1982810735115023_1337751110043041792_o 34664317_1982810965115000_8591393175778623488_n 34919405_1982811005114996_3698268885431091200_n 34673408_1982811051781658_8252287911278411776_n

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *