“Një pasdite në muze” me temë “Heroi i Popullit, Bajram Curri; Komandant i talentuar popullor”.

Në kuadër të programit Edukimi Përmes Kulturës, në përkujtim të 94-vjetorit të vdekjes së Bajram Currit, Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Heroi i Popullit, Bajram Curri; Komandant i talentuar popullor”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare.

Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve pranë muzeut kishte përgatitur dy leksione të hapura mbi jetën dhe veprimtarinë e Heroit të Popullit, Bajram Curri, për nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë.

Kryengritja që filloi në veri nga malësorët me në krye Bajram Currin, i cili kishte marrë prej kohësh qëndrim kundër qeverisë dhe Zogut. Bajram Curri, kishte filluar sulmet në Krumës më 7 maj, për ta shtënë në dorë atë, më 24 maj 1924. Pas një lufte të rreptë dhe të ashpër Komandanti i Xhandarmërisë Muharrem Bajraktari, me urdhër të Zogut tërhiqet dhe i lë fushë veprim Bajram Currit. Sukseset luftarake të çetave të Bajram Currit në verilindje dhe të kryengritësve në veri dhe jug, bënë që përpunimet e pushtetarëve të Tiranës të ishin të padobishme. “Qëndresa e trupave qeveritare u thye dhe më 10 qershor forcat e armatosura të opozitësh hynë në kryeqytet”. Më 16 qershor 1924 u formua Qeveria e Përkohshme e Fan Nolit.

Me vdekjen e Bajram Currit zhduket një fytyrë plaku fisnik nga kuvendet dhe sheshet e Shqipërisë. Heroi i Popullit, Bajram Curri, e mbylli jetën e tij ashtu si jetoi, me nder e armë në dorë, duke shkruar më 29 mars 1925 në Shpellën e Dragobisë, pjesën e fundit të jetës së tij, për të mbetur i pavdekshëm në kujtesën e brezave. Jeta dhe vepra e shquar dhe masivisht e vlerësuar, padyshim e vendosin Bajram Currin në radhën e personaliteteve më të spikatur shqiptarë të historisë sonë të re, por dhe të figurave ushtarake me prirje drejtuese, pa shkollë dhe akademi ushtarake, por me përvojën e madhe të jetës dhe luftës.

Muzeu Historik Kombëtar organizon këtë takim shkencor-social me një natyrë periodike, për të përkujtuar figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane që kanë shkruar dhe kanë kontribuar për evidentimin e vlerave kulturore.

55448480_2476824809046944_5770501884611657728_o 55949104_2476824575713634_3431302505814818816_o 55954375_2476824442380314_1010916541337698304_o 55875345_2476824339046991_2451676012409257984_o 55533143_2476824265713665_3621943330851520512_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *