“Një pasdite në muze”

Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Një vështrim në sistemin e burgjeve dhe kampet e përqëndrimit në Shqipërinë komuniste”. Referuan rreth kësaj teme Prof.Ass.Dr. Sonila Boçi, shefe Departamenti pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, referoi temën “Ngadhënjimi mbi harresën”. Ndërmjet të tjerave Dr. Koçi nënvizoi se “Ideologjia sunduese në Shqipëri ishte Stalinizmi dhe ai u aplikua në të gjitha format e hapura të tij. Një nga tiparet kryesore të tij ishte eliminimi i elitave përmes terrorit të kuq dhe zëvendësimi me elitat e formuara me karakter ideologjik komunist. “Sfida më e madhe e kulturës politike shqiptare mbetet pikërisht në ndryshimin e këtij botëkuptimi, sigurisht jo duke krijuar në vend të njeriut të ri, njeriun pragmatik, i aftë për të kryer kompromiset më të mëdha dhe për të përftuar më shumë në kurriz të shoqërisë, por të nxisë hierarkinë e vlerave kulturore të nevojshme për të krijuar një etikë morale integruese me kombet e tjera në Europë”, përfundoi Dr. Dorian Koçi.

Prof. Ass. Dr. Sonila Boçi tha se: “Rregjimi komunist bazohej mbi dy shtylla të forta ideologjike: luftën e klasave dhe diktaturën e proletariatit, në të cilat u ndërtua dhe u përligj një sistem dhune dhe represioni. Gjatë viteve 1944-1951, regjimi kishte nevojë të instalohej dhe të konsolidohej. Në këto kushte ai duhet të eleminonte të gjithë kundërshtarët realë, por edhe ata potencialë. Dhuna dhe represioni i asaj periudhe u karakterizua nga disa shtresëzime: a- Represion ndaj kundërshtarëve të deklaruar të PKSH dhe Frontit Nacionalçlirimtar; b- Represion ndaj popullsisë në zonat veriore të vendit; c- Represion ndaj shtresave të pasura të popullsisë; d- Represion ndaj komuniteteve fetare; dhe e- Represioni ndaj intelektualëve. Karakteristikë e kësaj periudhe është mungesa e infrastrukturës së burgjeve. Burgjet ekzistuese në vitin 1944 ishin tërësisht të pamjaftueshme për të përballuar arrestimet të të gjitha kategorive të sipërpërmendura. Gjatë viteve 1951-1990 regjimi krijoi mekanizma për të vijuar luftën e klasave dhe diktaturën e proletariatit si e vetmja mënyrë për të mbajtur në këmbë regjimin. Represioni u bë më i strukturuar dhe sistematik nëpërmjet sistemit të internim-dëbimeve dhe sistemit të burgjeve. Gjatë kalimit të viteve regjimi hapi burgje të reja në të gjitha qendrat kryesore, duke dalluar gjithmonë ato të rezervuara të burgosurve politikë nga burgjet e destinuara për të burgosurit e thjeshtë. Ndër burgjet e destinuara për “armiqtë e popullit” më famëkeqët janë ata të Burrelit (1946), i cili konsiderohej si një një super burg nga i cili ishte i pamundur të arratiseshe dhe në të cilin të burgosurit politikë jetonin në kushte çnjerëzore; burgu i Spaçit (1968), i cili mbeti i hapur deri në vitin 1990 dhe shfrytëzonte punën e të burgosurve për nxjerrjen e mineralit të bakrit dhe piritit, në kushte çnjerëzore”.

Nxënësit e shkollës së mesme “Ismail Qemali”, në Tiranë treguan një interes të madh ndaj kësaj teme dhe në fund takimi u kthye në një bashkëbisedim profesional mjaft interesant mes nxënësve dhe Prof. Ass. Dr. Sonila Boçit dhe Dr. Dorian Koçi.

Këto takime periodike nga Muzeu Historik Kombëtar bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare.

34018138_1973068556089241_4052929756973236224_n 34013900_1973068669422563_78305362704334848_o 33899148_1973068466089250_4300829127495122944_o 33902788_1973068762755887_3478296620628443136_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *