60 vjet udhëtim i Skulptorit të Merituar Perikli Çuli, Laureat i Cmimit të Republikës. Ky event artistik vjen si bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar. Shumë dekada krijimtarie plot emocion dhe pasion të këtij artisti unik, një univers i tërë për të zbuluar dhe rrugëtuar. Profesor Çuli, paraqet një sintezë shumë interesante të shprehjes së tij artistike. Punimet në mermer tregojnë në mënyrë bindëse se me cfarë përkushtimi e dashurie i ka impenjuar autori bindjet e tij estetike, për të dhënë emocione nëpërmjet kërkimeve skulpturore, që paraqesin interes të vecantë drejt një arti ku zotërohet fantazia, plastika, konsekuenca drejt formimit që është pjesë përbërëse e “unit artistik” të këtij individualiteti.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili tha: “Të nderuar miq, kam kënaqësinë që ta filloj sezonin e ri të ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar me ekspozitën UNIVERS. Profesor Perikliu është një nga figurat më të shquara të skulpturës shqiptare dhe si një dashamirës i artit nuk mund të lë pa e përmendur këtë mjeshtër të artit shqiptar dhe skulpturat e tij, të cilat kanë mbushur sheshe të tëra përgjatë territorit tonë”.
Profesor Çuli me përulësi përshëndeti të pranishmit në sallë. Falenderoi në veçanti Muzeun Historik Kombëtar, Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre në realizimin e kësaj ekspozite.