Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Kondar Adenauer (KAS) organizojnë më 16-23 Nëntor 2017 “DITËT E KUJTESËS 2017”. Ky event ka synim të inkurajojë diskutimin publik mbi regjimin diktatorial në Shqipëri. Pjesë e këtij eventi, ndërmjet të tjerash, ishte edhe Lexim publik i dosjes së Musine Kokalarit, aktivitet i cili u organizua dje në Muzeun Historik Kombëtar. Këtë aktivitet e përshëndeti znj.Jonila Godole nga IDMC, e cila foli mbi rëndësinë trajtimit të së kaluarës dhe rolin e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë në trajtimin e së kaluarës dhe pse është i rëndësishëm përfshirja e arkivave në të.
Znj.Linda Kokalari, drejtore e Institutit “Musine Kokalari”, foli për jetën, punën, veprën dhe procesin e ndjekjes e gjyqeve të Musine Kokalarit marrë nga dosja e saj.
Z.Skënder Vrioni, specialist i informacionit në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, foli rreth rëndësisë së hapjes së dosjeve dhe rolin e AIDSSH, si edhe shpjegoi gjithë procedurën e ndjekur për deklasifikimin e dosjes së Musine Kokalarit.
Prof. Dr. Persida Asllani, Drejtore e Bibliotekës Kombëtare, foli rreth veprave letrare të Musine Kokalarit dhe botimit të tyre nga Ministria e Kulturës dhe Bibliotekës Kombëtare, si edhe futjen e figurës së Musinesë në tekstet shkollore si në librat e historisë dhe të veprës së saj në librat e letërsisë.
Ndërsa Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, bëri një vështrim historik të Musine Kokalarit dhe foli rreth rolit të saj në historinë e Shqipërisë dhe çfarë elementesh të veçanta ka sjellë ajo në politikën shqiptare.