Sot, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për zbatimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Universitetit të New York-ut Tiranë.
Gjatë ceremonisë, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi dhe Rektori i Universitetit të New York Tirana, Prof. Dr. Ismail Kocauysufoğlu, theksuan se, projektet që do të realizojmë synojnë në hapjen e ekspozitave të përkohshme në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar-Tiranë dhe të Universitetit të New York-ut Tiranë ku nëpërmjet dokumenteve arkivore, fotografive, objekteve, filmave dokumentarë dhe kronikave filmike do të japin një panoramë të përgjithshme për personalitetet dhe ngjarjet e rëndësishme historike të popullit shqiptar.
Në përfundim të fjalëve të rastit të dy titullarët e institucioneve nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për zbatimin e projekteve të përbashkëta.Këto projekte synojnë të realizojnë botime, konferenca shkencore, ekspozita, aktivitete dhe projekte të përbashkëta, të cilat do t’i shërbejnë shkëmbimit të eksperiencave të ndërsjellta ndërmjet dy institucioneve. Memorandumi i Bashkëpunimit synon të maksimizojë potencialin që muzetë dhe universitetet të punojnë së bashku për qëllime të dobishme të ndërsjella.