Sot, Muzeu Historik Kombëtar u vizitua nga dy deputetët francezë Znj. Liliana Tanguy, nënkryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Anëtare e Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri të Asamblesë Kombëtare, dhe Z. Jacques Maire, nënkryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Asamblesë Kombëtare. Deputetët francezë, të shoqëruar edhe nga Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Znj. Christina Vasak dhe Znj. Teuta Vodo, Zëvendësministre e Drejtësisë, u pritën nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi dhe treguan një interes të veçantë për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë. Deputetët u shprehën entuziastë për vizitën e tyre në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar dhe shprehën vlerësimin e tyre për historinë e popullit shqiptar që nga kohët më të lashta e deri më sot.
“Me rastin e vizitës miqësore dhe të bukur, ju falenderoj në emër të Asamblesë Kombëtare të Francës, për rastin për të marrë njohuri të Trashëgimisë Kulturore e historike të Shqipërisë. Një pjesë e kësaj trashëgimie është shumë e rëndë nga pushtimi dhe nga lufta për çlirim. Duhet njohur për tu çliruar dhe duhet parë nga e ardhmja”, u shpreh z. Jacques Maire.
“Falenderoj shumë drejtorin dhe personelin për këtë vizitë shumë të pasur të historisë dhe kulturës të popullit shqiptar. Kjo lejon të afrojë dy popujt tonë në miqësinë e tyre dhe të intensifikojë marrëdheniet e tyre”, u shpreh znj. Liliana Tanguy.