Qëllimi i këtij programi shkencor periodik, është sensibilizimi i shoqërisë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare por dhe ndezja e një debati profesional në disiplina të ndryshme. Në fjalën e hapjes, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi tha se kultet e mitet e trojeve tregojnë se rrënjët tona kulturore në zanafillë shfaqen europiane dhe se kultura shqiptare për shekuj të tërë u zhvillua brenda kësaj përkatësie. I ftuar nderi në këtë aktivitet ishte Prof. Dr. Adem Bunguri, i cili mbajti kumtesën: “Objektet parahistorike të kultit në Shqipëri dhe Kosovë”. Ai foli për jetën shpirtërore të banorëve parahistorikë në hapësirën e Shqipërisë e Kosovës të shprehur përmes disa kategorive të objekteve të kultit si: figurinat njerëzore, ritonet, vulat, enet apo maskat antropomorfe etj. Z. Ledio Xhoxhi, kurator pranë Muzeut Historik Kombëtar, mbajti kumtesën: “Mitet dhe kultet në parahistorinë shqiptare”. Ai shpjegoi terminologjinë e përdorur në arkeologji dhe intepretoi disa nga objektet e kultit të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar.