Në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane dhe 29 Shtatorit – Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Muzeu Historik Kombëtar organizoi leksionin e hapur me temë “Trashëgimia Kulturore Kombëtare, pjesë e rëndësishme e Trashëgimisë Evropiane”. Për të referuar mbi këtë temë ishte i ftuar Akademik Vasil Tole.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, përshëndeti pjesëmarrësit duke thënë se : “Është një kënaqësi e madhe që e mbajmë këtë leksion të hapur në kuadër të javës së Trashëgimisë Kulturore Kombëtare. Më pëlqen tej mase auditori juaj. Ky fakt tregon se kjo trashëgimi nuk u përket veç disa personave të zgjedhur apo të caktuar, por të gjithëve ne. Pikërisht, juve që vini nga bankat e shkollës. Ky leksion nga akademiku Tole do të na mësojë se çfarë është konkretisht Trashëgimia Kulturore Kombëtare dhe Evropiane”.
Z. Tole e hapi leksionin e hapur duke përshëndetur auditorin e shkollës së mesme “Ismail Qemali” në Tiranë. Trashëgimia Kulturore Kombëtare është një temë shumë e gjerë theksoi etnomuzikologu. 29 shtatori është dita kur kujtojmë me respekt trashëgiminë kombëtare shqiptare, pjesë e trashëgimisë europiane, kur të gjitha vlerat e saj materiale e shpirtërore bëhen një së bashku me njerëzit që ato i krijuan dhe i ruajtën për t’ua përcjellë brezave si dëshmi e identitetit kulturor dhe evropian. Kjo është dita kur të gjithë ne përulemi me respekt për kontributin e restauratorëve, arkitektëve, studiuesve dhe shkencëtarëve, bartësve të folklorit dhe artizanëve, të gjithë njerëzve të njohur apo anonimë të cilët i dhanë kuptim fjalës Shqiptar. DKTK u shpall për dy arsye: E para, në themel të kësaj dite qëndron akti patriotik dhe atdhetar i ushtarakëve: Kamber Bënja, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani (të cilët më pas u kalën dhe u pushkatuan prej ushtrisë pushtuese), të cilët ndaluan plaçkitjen dhe vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apollonisë, në vitin 1916, gjatë Luftës së I-rë botërore, dhe së dyti sepse zhvillohet paralelisht, në fund shtatori me aktivitetin “Ditën e Trashëgimisë Kulturore”, i cili kulmon fushatën e Këshillit të Europës: “Europa, një trashëgimi e përbashkët”.