Ata duhet të ndihen njëlloj si pjesa tjetër e shoqërisë, dhe si të tillë mund të bëjnë aktivitete çfarëdo, madje dhe të vizitojnë lirshëm një muze historik apo një muze arti.
“Muze që komunikojnë me të gjitha format: Qasje të reja, publik i ri”. Është kjo tema e zgjedhur për vitin 2018 në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, e cila përkon me datën 18 maj 2018. Pikërisht në këtë kuadër, Muzeu Historik Kombëtar e përqendroi vëmendjen në drejtim të një publiku tepër special e të veçantë, tek personat me aftësi ndryshe. Me këtë rast, Muzeu Historik Kombëtar organizoi një “Tryezë të Rrumbullakët” me temë “Muzetë: Një realitet për njerëzit me aftësi ndryshe”. Pjesëmarrës në tavolinën e rrumbullakët ishin: Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Etleva Demollari, Drejtoreshë e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, Azbie Ramaj, Drejtoreshë e Institutit të Nxënësve që Nuk Dëgjojnë, Lorela Musta, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës “Steps”, Xhemal Xhafa, Drejtor i Institutit të Nxënësve që Nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”.
Qëllimi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeve është të rrisë ndërgjegjësimin për faktin se, – sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçit: – “Muzetë janë një mjet i rëndësishëm për shkëmbimin kulturor, pasurimin e kulturave dhe zhvillimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimin dhe paqen midis popujve”. Megjithatë Dr. Dorian Koçi do të evidentonte faktin se jetojmë në një shoqëri e cila nuk është plotësisht e hapur ndaj personave me aftësi të kufizuara. Por ai theksoi se “Me anë të ligjit të vitit 2014 u vendosën parimet themelore të mosdiskriminimit, nëpërmjet të cilave garantohet që personat me aftësi të kufizuara të mos trajtohen në mënyrë të diferencuar; por të kenë mundësi të barabarta”. Ndërsa duke iu referuar punës në Muzeun Historik Kombëtar për të mundësuar që dhe njerëzit me aftësi ndryshe ta vizitojnë atë, Dr. Dorian Koçi u shpreh: “Që prej vitit 2014 në ambientet e Muzeut është bërë e mundur vendosja e rampave dhe e një ashensori që bëjnë të mundur lëvizjen e njerëzve me aftësi të kufizuara. Madje, jashtë Muzeut, ka dhe vend parking enkas për ta. Njerëzit me aftësi të kufizuar duhet të ndjehen të respektuar dhe vlerësuar si vizitorë në Muzeun Historik Kombëtar. Faktori “mirëpritës” është vendimtar kudo, në fushën e publikimeve, shërbimeve dhe programeve që ofrohen etj”.
Pas fjalës së Dr. Dorian Koçit, i cili ftoi pjesëmarrësit të debatonin rreth kësaj çështje, mori fjalën znj.Etleva Demollari, Drejtoreshë e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, njëkohësisht anëtare e grupit të aksesit në Rrjetin Ballkanik të Muzeve (Balkan Museum Network).
Më pas tryeza e rrumbullakët vazhdoi referatin e znj. Azbie Ramaj, Drejtoreshë e Institutit të nxënësve që nuk dëgjojnë në Tiranë, me temë “Njerëzit me aftësi të kufizuar vizitojnë muzeun, pengesat dhe vështirësitë”. Z. Xhemal Xhafa, Drejtor i Institutit të nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi” e kishte përgatitur Referimin e tij në bashkëautorësi me Zëvendësdrejtorin e Institutit, Z. Emiliano Lule. Ndërsa Znj. Lorela Musta, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës “Steps” me programin me fëmijët me vështirësi në shikim social “Artistry Colorful People”. referoi bashkë me Znj. Elisa Bano, zëvendësdrejtor i Qendrës “Steps”. Në fund referoi dhe Z. Ledio Xhoxhi, Përgjegjës i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar, i cili kishte përgatitur temën “Figurat e Prekshme, art përtej shikimit!”
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti Z. Xhemal Xhafa, Drejtor i Institutit të nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, i dha Muzeut Historik Kombëtar një Certifikatë Mirënjohje me motivacionin “Për përmirësimin e standardit të shërbimit ndaj fëmijëve me probleme shikimi në Institutin “Ramaza Kabashi” Tiranë”.
Në fund të kësaj tryeze të rrumbullakët, nga të pranishmit u ra dakord që ky bashkëpunim ka për qëllim të mbështesë personat me aftësi të kufizuara për të pasur akses në të gjitha sferat e jetës, si në qendrat kulturore ashtu dhe në qendra të tjera publike.