U çel sot, ekspozita “Mozaiku i jetës” i tre artisteve nga Kosova Besjana Kryeziu, Leoneta Abdyli dhe Shkurte Ramushi. Kjo ekspozitë është kuruar nga Prof.Ass.Dr.Arsim Sinani.
Në ceremoninë e hapjes morri pjesë Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, kuratori i ekspozitës Prof. Ass. Dr. Arsim Sinani dhe dashamirës të artit të pikturës.
“Mozaiku i jetës bashkoi sot tri artiste, në muzeun e jetës. Tre tregime të reja, tre tregime të padëgjuara më parë, nga tri artiste.
Njëra përfaqëson trashëgiminë arkitekturore të jetës, shtepitë dhe dyert e dritaret e historisë shqiptare, tjetra peizazhin, rrugët dhe mallin e vendlindjes kurse e treta parajsën tokësore të natyrës.
Artistet përfaqësojnë trashëgiminë shpirtërore të një jete, të një ëndrre, të një dëshire dhe të asaj përtej imagjinatës ose që shihet me sy.
Por secila nga to dëshiron të tregojë me ngjyra, vija dhe krijime të veçanta me tregimin e vet artistik. Zbërthimi i konceptit vjen me tri pjesë të ndryshme dhe origjinale nga secila artiste”, ishte koncepti i kësaj ekspozite të veçantë.