“Merimanga e Sarajevës” promovohet në Muzeun Historik Kombëtar, drejtori Koçi: Romani, një dëshmi e Evropës së para luftës së Madhe

Botimet Toena në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar organizuan promovimin e romanit të ri të shkrimtarit anglez Robert Wilton “Merimanga e Sarajevës”. Ishte i pranishëm në promovimin e romanit autor i veprës z.Robert Wilton si dhe znj. Diana Çuli përkthyesja e romanit. Gazetarja Arta Marku ishte në rolin e moderatores së këtij promovimi.
Një referencë të rëndësishme në promovim e romanit të autorit anglez e mbajti Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi. Sipas tij janë të radha veprat letrare që ndërthurin dokumentacion të mirëfilltë historik dhe krijimtari letrare siç është romani “Merimanga e Sarajevës”.
“Një titull integrues, sidomos përmendja e qytetit të Sarajevës na çon të gjithë ve nëpër mend fillimin e Luftës së Madhe në Evropë. Siç është një fakt i njohur kjo luftë ndryshoi njëherë e mirë jo vetëm fatet e pushteteve politikë, tre Perandori u shpërbënë, por edhe konceptimin mbi luftën e paqen në Evropë. Në këtë kontekst romani është një dëshmi dhe rrëfim i Evropës së para luftës së Madhe të mbërthyer nga ankthi i megalomanisë dhe frikës nga Tjetrit”, tha mes të tjerash Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi.
Romani bën fjalë për Europën e vitit 1914. Përmes historisë së shkruar në të, autori na bën të përjetojmë një Shqipëri, Bosnjë, Serbi dhe Europë të asaj kohe.
Në fund të fjalës së tij, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi do të thoshte: “Krisma e një kobureje që mori jetën e Arkidukës Franc Ferdinant dhe së shoqes së tij, Princeshës Sofi, në mëngjesin e datës 28 qershor 1914 në Sarajevë nuk ishte vetëm krisma e kobures së një terroristi serb që kërkonte në mënyrë primitive të realizonte ëndrrën e vet nacionaliste, por edhe krisma që shënoi fundin e iluzioneve të një Europe që prej 100 vjetësh pretendonte se jetonte në një paqe. Romani mbyllet pikërisht me këtë atentat duke pasqyruar qartësisht epokën dhe zhgënjimet që do të pasonin të gjitha palët për të vendosur në vend një drejtësi”.

20228324_1597935726935861_6206642590752041348_n 20139841_1597935793602521_6039338245437188410_n 20258362_1597935723602528_3684317742107163542_n

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *