Me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve – Shkup organizuan promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup”

Me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve – Shkup organizuan promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko, si edhe ekspozitën “Jeta përmes kujtimeve”.
Në promovimin e librit drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se: “Është kënaqësi e veçantë për ne, që në prag të përurimit të ekspozitës “Jeta përmes kujtimeve” dhe të promovimit të librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko. Nëpërmjet botimit të librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” autorët e librit, duke përdorur fakte dhe burime të vërteta historike, synojnë të pasqyrojnë historinë e familjeve katolike shqiptare të Shkupit, të cilat gjithnjë e më tepër po mbulohen nga pluhuri i harresës. Historia e familjeve të shquara qytetare të Shkupit anjëherë nuk mund të tjetërsohet, asnjëherë nuk mund të asimilohet, sepse me kalimin e viteve do të lindin pinjollë të tjerë të shquar, të cilët do ta ngrenë edhe më lart emrin e fisit. Pikërisht ky është edhe misioni historik që ka ndërmarrë Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Të kultivojë traditat e bukura të trashëgimisë sonë kulturore jo vetëm tek shqiptarët që jetojnë në Shkup, por edhe më gjerë. U urojmë autorëve të librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” Skënder Asanit, Albert Ramajt dhe Natasha Didenkos urime dhe mirëutakofshim në aktivitete të tjera të kësaj natyre”.
“Muzeu Historik Kombëtar, si institucion i kujtesës kombëtare dhe përçues vlerave të trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë ka organizuar veprimtari të shumta për nder të Shën Terezës, duke vënë në dukje vlerat humane dhe mesazhet që ajo i
ka dhënë njerëzimit. Ekspozitat që kemi organizuar çdo vit në muajin shtator janë pritur me interes të veçantë nga vizitorët vendas dhe ata të huaj. Por edhe këndi i Shën Terezës në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, me objekte dhe sende personale të shenjtores me origjinë shqiptare paraqet një interes të veçantë”, përfundoi drejtori Koçi në hapjen e ekspozitës “Jeta përmes kujtimeve”.
Promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” dhe ekspozitën “Jeta përmes kujtimeve” e përshëndeti edhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup, Dr. Skënder Asani, i cila tha se: “Ju falenderoj për prezencën tuaj. Shënjtorja Shën Tereza është personaliteti që i ka kaluar të gjitha kufinjtë e vetmohimit duke i shërbyer të tjerëve. Ajo mund të quhet “Nëna e dashurisë”. E filluam këtë aktivitet në New York, pastaj në Prishtinë dhe stacioni i fundit i misionit tone është Muzeu Historik Kombëtar, që përkon me 2-vjetorin e shenjtërimit të Saj. Si autor i librit deklaroj se me botimin kemi bërë shumë pak, Nënë Tereza nuk mund të bëhej nënë biologjike por u bë nënë historike e gjithë botës. Ne sot mundemi që të jemi bijtë e saj.
Jam tejet i gëzuar që vij në Muzeun Historik Kombëtar por edhe si drejtor edhe si studiues, sepse Muzeu Historik Kombëtar përmbledh gjithë trashëgiminë tonë kulturore”.

Ekspozita “Jeta përmes kujtimeve” flet për familjet katolike në Shkup, të cilat përmbajnë fotografi, fakte e dokumenta. Gjithashtu, ekspozohen edhe objektet e Shën Terezës, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar, si Krishti i kryqëzua, ruzaria e Nënë Terezës, një peshqir, një mësallë, pjata, gota e ujit, luga, piruni dhe thika që ka përdorur Nënë Tereza gjatë qëndrimit në shtëpinë e Z. Tonin Shpati etj.
Në këtë ekspozitë një kënd i veçantë ju dedikua punimeve mbi figurën e Shën Terezës të nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës, të cilët kanë marr pjesë në projektin e Muzeut Historik Kombëtar “Vizatoj historinë”.

40891026_2143689369027158_6865753849722830848_n 40882596_2143689232360505_9197732593926144_o 40960980_2143689025693859_6910643370431873024_n 40903455_2143688845693877_3865931472225435648_o 41073964_2143688892360539_6354922349480902656_n

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *