Në përvjetorin e tij të lindjes, Luigj Gurakuqi u përkujtua në bibliotekën e Muzeut Historik Kombëtar. “Një pasdite në muze!”, organizuar nga Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve, zhvilloi me këtë rast veprimtarinë: “Kontributi i Luigj Gurakuqit në çështjen kombëtare shqiptare!”. Referuan rreth kësaj teme Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, znj.Elmira Gjonaj, mësuese e lëndës së historisë pranë gjimnazit “Sami Frashëri” dhe z.Stefan Tetollari, specialist i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve pranë Muzeut Kombëtar.
Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi tha se, Luigj Gurakuqi është një nga ideologët e Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që i hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare. Për më tej Dr. Dorian Koçi bëri një panoramë të gjerë të kushteve, në të cilat filloi iluminimi dhe ndërgjegjësimi kombëtar dhe një përmbledhje të kontributit të atdhetarit Luigj Gurakuqi në çështjen kombëtare shqiptare.
Në fjalën e saj mësuesja e lëndës së historisë pranë gjimnazit “Sami Frashëri”, znj.Elmira Gjonaj theksoi se Luigj Gurakuqi është njëri prej themeluesve më të rëndësishëm të shtetit shqiptar dhe një prej figurave më të rëndësishme të kujtesës sonë historike. Ai ishte një nga diplomatët më të shquar shqiptarë, duke përfaqësuar me dinjitet dhe mbrojtur interesat e popullit shqiptar në qendrat më të mëdha të politikës evropiane, si: në Romë, në Vjenë, në Paris, në Londër në Konferencën e Paqes në Paris (1919) apo në Lidhjen e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë (1924). Një vlerësim i madh i është bërë nga bashkia e rajonit të Puljas, sheshit ku u vra heroi ynë në Bari, iu vu emri Luigj Gurakuqi, duke vendosur dhe një tabelë të shkruar në shqip e italisht në përkujtim të tij. Universiteti i Barit botoi një përmbledhje me punë të studiuesve shqiptarë e italianë kushtuar Gurakuqit. Para viteve 1990, eshtrat e Luigj Gurakuqit u sollën në Shqipëri dhe u vendosën në varrezat e Shkodrës (1957). Ai është nderuar me tituj të lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”.
Në fjalën e tij specialisti i Muzeut Kombëtar, z.Tetollari tha se në kabinetin e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqi do merrte postin e Ministrit të Arsimit. Me iniciativën e Luigj Gurakuqit, Ministria e Arsimit ngriti një komision, i cili do të merrej me hartimin e terminologjisë shqipe për degët e ndryshme të administratës, arsimit dhe sferave të tjera të jetës së vendit. Në nëntor të vitit 1913 u vendos të ngrihej edhe një qender shkencore për studimin e gjuhës amtare të programeve e të teksteve shkollore. Gjatë periudhës që Gurakuqi mbajti postin e Ministrit të Financave në kabinetin e Nolit, Stavro Vinjahu do shkruante se “si ministër i Financave të Kabinetit të Nolit ai bëri çudira; gjeti 4 milion franga ari të papaguara dhe me administrimin e tij të shkëlqyer e me kursime, arriti që buxhetin e ri t’a mbyllë me një tepricë prej 1.000.000 franga ari, si dhe të paguhen të gjitha borxhet e kaluara”.
Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze” ka për qëllim ngjizjen e një debati profesional në disiplina të ndryshme.