Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, Muzeu Historik Kombëtar, Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë po organizojnë Konferencën Ndërkombëtare Shkencore: “Fytyra e ‘Armikut të Popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri 1944-1990”.
Konferenca përqëndrohet në këto tematika kryesore:
1. Diskutim teorik mbi konceptet: disidencë, disident, kundërshtar politik.
2. Kontribute mbi debatin: A ka pasur disidencë në Shqipëri?
3. Ngjashmëri dhe dallime në vizatimin e “Armikut të Popullit” midis Shqipërisë dhe regjimeve të tjera komuniste të Evropës Lindore dhe Qëndrore.
4. Tipologjia e “Armikut të Popullit” dhe sjelljes së regjimit ndaj tyre.
5. Evolucioni i konceptit Armik i Popullit gjatë viteve të diktaturës së proletariatit.
6. Lufta e klasave dhe ndryshimet në konceptimin e saj përgjatë regjimit.
7. Sigurimi i Shtetit si instrument përndjekjeje.
8. Profile të ndryshme të “Armikut të Popullit”.
Fjalimet përshëndetëse në hapjen e konferencës u mbajtën nga:
Znj. Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH
Z. Marenglen Verli, Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike
Znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës
Z. Bernd Borchardt, Ambasador i OSBE-së në Shqipëri
Z. Johann Sattler, Ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri
Z. Alberto Cutillo, Ambasador i Republikës Italiane në Shqipëri
Z. Karol Bachura, Ambasador i Republikës Polake në Shqipëri
Znj. Lymia Eltayeb, Përfaqësuese e përhershme e UNDP në Shqipëri
Znj. Monika Bylaite, Drejtuese për çështjet Politiko-Ekonomike, Delegacioni Europian në Shqipëri
Z. Agron Tufa, Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Z. Bilal Kola, Drejtor i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë
Z. Petro Koçi, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë
Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti e hapi fjalën e saj përshëndetëse me një shprehje të të madhit Haruki Murakami: “Pavarësisht sesa vuan duke i kujtuar, asnjëherë nuk do të duash të heqësh dorë nga ato kujtime”. Interesi për këtë kohë të errët të vendit tonë sa vjen e po shtohet. Rinia jonë nuk duhet të eci në të kaluarën, por të mësojë prej saj. Është një periudhë që nuk duhet fshirë nga memoria jonë historike, por të kthehet në forcë për të ardhmen. Të mësojmë nga armiku me qëllim që të krijojmë një identitet më të fortë”, përfundoi Ministrja e Kulturës.