Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu i Kosovës, pas suksesit të ekspozitës “Unë jam shqiptar” vijnë me bashkëpunimin e radhës me hapjen e ekspozitës “Moti i madh” në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, viti jubile për figurën e Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Kjo ekspozitë përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.
Ekspozita paraqet dy letra të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat tregojnë bashkëpunimin e Skënderbeut me mbretëritë evropiane të kohës.
– Letër e Skënderbeut dërguar nga Kruja, më 8 gusht 1451 fisnikëve të Komunës së Qytetit të Sienës (Itali).
– Letër e Skënderbeut dërguar nga Lezha, më 8 prill 1456, kardinalit të Fermos (Itali) Domenico Capranica-s.
👉 Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite në ambientet e Muzeut të Kosovës përshëndeti znj. Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi. Të gjithë pjesëmarrësit nënvijëzuan rëndësinë e kësaj ekspozite dhe vlerësuan figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak.
👉 Ekspozita “Moti i madh” do të qëndrojë e hapur deri më 06 Dhjetor 2018 në ambientet e Muzeut të Kosovës.