Fotografitë e presidentëve amerikanë dhe gazetat shqiptare të kohës në një ekspozitë

U çel ekspozita me temë: “Presidentët amerikanë dhe marrëdhëniet me Shqipërinë”, një bashkëpunim i Muzeut Historik Kombëtar me OTTOnomy. Në këtë ekspozitë, e cila është e para e këtij lloji që iu paraqit publikut shqiptar, përballen imazhet e 10-të ish-presidentëve amerikanë me përshkrimet e gazetave shqiptare të kohës kur ata kanë drejtuar. Fotografitë janë realizuar me mjeshtëri të lartë artistike prej fotografit më të shquar të kohës, shqiptaro-amerikanit Xhorxh Tames.
Në katalogun e përgatitur me këtë rast ambasadori amerikan në Tiranë, z.Donald Lu shkruan: “Fotot e Xhorxh Tames ilustrojnë përpjekjet dhe sfidat e atij posti, si dhe të vendit tonë në tërësi e jo vetëm triumfet. Po ashtu ato kapin edhe anën njerëzore të presidentëve amerikanë”.
Në çeljen e ekspozitës kishte mjaft të ftuar. Fjalën e hapjes e mbajti Drejtoresha Akademike dhe Koordinatore e të Drejtave Njerëzore të OTTOnomy Dr. Lori E. Amy. Por fjalën e mori edhe Stefani Tames, vajza e fotografit shqiptaro-amerikan.
Gjatë një prononcimi për shtypin drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Melsi Labi tha: “Kjo ekspozitë, e sjellë në Shqipëri nga e bija e fotografit Stefani Tames do të çelë ura bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona dhe do të japë mesazhin që të gjejmë miq, atje ku dikur kemi parë vetëm armiq. E kush tjetër mund ta realizonte më mirë këtë gjë veçse shqiptaro-amerikanit Xhorxh Tames. Kjo ekspozitë është vlerësimi më i madh që i bëhet fotoreporterit Tames, i cili ka qenë i famshëm si fotograf i Shtëpisë së Bardhë, por gjatë dy javëve të ekspozitës do të marrë famë edhe në vendlindjen e prindërve të tij”. Sipas Melsi Labit këto fotografi të ish presidentëve amerikanë shoqërohen me pjesë nga gazetat shqiptare, të cilat janë përzgjedhur me kujdes nga një grup studentësh shqiptarë. Kjo përbën edhe tematikën e ekspozitës ku presidentët amerikanë janë të vendosur në fokusin e marrëdhënieve shqiptare të kohës që kanë jetuar.
Nëpër stendat e ekspozitës me temë: “Presidentët amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare” publiku do të njihet me aspekte të jetës së dhjetë presidentëve më të shquar amerikanë, duke filluar nga Frenklin Rusvelt e deri te Xhorxh Bush. Objektivi i aparatit fotografik të Tames i ka kapur presidentët në çaste të veçanta të jetës së tyre: Niksoni duke tërhequr çorapet, Karteri duke notuar, Rusvelti me qenin e tij, etj.
Të gjitha ngjarjet mund t’i perceptojmë nëpërmjet objektivit të aparatit fotografik të fotoreporterit shqiptaro-amerikan, Xhorxh Tames, i cili në atë kohë punonte për prestigjozen New York Times. Fotografitë e Tames përballë artikujve shqiptarë të kohës përbëjnë thelbin e ekspozitës me temë: “Presidentët amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare”, duke hedhur një vështrim tejet kritik për ngjarjet shqiptare të epokës komuniste, në dialog me ngjarjet ndërkombëtare, që çuan nga lufta e ftohtë drejt tranzicionit.

15002378_1295888407140596_181402874323675180_o 15016157_1295888220473948_6617235252739206334_o 15025207_1295888227140614_6155097358444007419_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *