Në emër të Ministrisë së Kulturës këtë aktivitet e përshëndeti Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili ndër të tjera tha se: “Për të gjithë miqtë e dashamirësit e trashëgimisë kulturore, Muzeu Historik Kombëtar është shtëpia e tyre, është institucioni më i madh i kujtesës. Figurat për të cilët jemi mbledhur sot kanë një dipazon të gjerë që prej mesjetës e rimëkëmbjes së shtetit shqiptar, arkeologjisë dhe albanologjisë, të cilët kanë lënë vepra të mëdha, të cilat kanë vlera të madhe për historinë e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Unë jam i kënaqur që këto aktivitete rrisin kureshtjen intelektuale dhe bëjnë të mundur që njerëzit të gjejnë një tavolinë ku të diskutojnë dhe pse jo, të dalin me propozime konkrete, pasi trashëgimia kulturore e shqiptarëve është një fushë e vështirë dhe na përket të gjithëve”. Aktivitetin e përshëndeti edhe zv.Ambasadorja e Republikës së Kroacisë, e cila foli për historinë e albanologut kroat Milan Shuflaj. Në panelin referues ishin edhe publicisti Virgjil Kule, i cili mbajti kumtesën me titull “George F. Williams, diplomati amerikan dhe albanologu që kontriboi për çështjen kombëtare shqiptare”, studiuesi Nuri Dragoi me kumtesën “Kamber Bënja, Bexhet Manirstiliu, Abaz Taushani, dëshmorët e monumenteve”, studiuesi Kujtim Mateli dhe Nexhat Krasniqi kishin përgatitur temën “Ilirët dhe Iliria në dimensionin shkencor të Aleksander Stipcevic”, dhe Sazan Guri mbajti kumtesën “Robert Elsie: Albanologu gjermano-kanadez që i kushtoi gjithë i kushtoi gjithë jetën origjinës, traditave dhe zakoneve shqiptarëve”. Në fund të aktivitetit Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i dhuroi Ambasasores dhe zv.Ambasadores së Republikës të Kroacisë nga një dhuratë, ku ishte dhe një botim i Muzeut Historik Kombëtar për Milan Shuflaj.