Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë organizoi hapjen e ekspozitës “Vizatoj Historinë” me piktura të objekteve të ekspozuara në pavijonet e muzeut nga nxënës të 10 shkollave 9-vjeçare të Tiranës.
“Është një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në finalizimin e këtij projekti voluminoz që kemi bërë sëbashku. Ju falenderoj në emër të Muzeut Historik Kombëtar për njohjen e veçantë të historisë që keni fituar nëpërmjet projektit “Vizatoj Historinë”. Unë besoj se, ju nëpërmjet këtij projekti keni arritur sadopak të keni hyrë në dinamikat dhe në zhvillimet e vetë historisë sonë kombëtare nëpërmjet vizatimit, nëpërmjet skicimit, nëpërmjet identifikimit të figurave dhe ngjarjeve tona të rëndësishme historike”, tha Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi. Ceremoninë e përshëndeti edhe Nëndrejtoresha e shkollës “7 Marsi”, znj.Ines Rushiti. “Falenderoj shumë drejtorin e muzeut Historik Kombëtar, ekipin e shkëlqyer për këtë bashkëpunim dhe mendoj se ky bashkëpunim ka qenë shumë i vlefshëm për të gjithë ne, për nxënësit mbi të gjitha që ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe e vlefshmë për të njohur historinë e kombit tonë nëpërmjet vizitave në pavijonet e muzeut dhe vizatimeve të objekteve”, u shpreh znj.Rushiti. Ndërsa Përgjegjësja e Sektorit të Programeve Edukative pranë muzeut, znj.Etleva Demollari, ju drejtua nxënëse pjesëmarrës duke u shprehur se, ky ishte një project kishte si qëllim t’ju nxiste që të shprehnit ndjenjat, mendimet dhe emocionet tuaja pas një vizite në Muzeun Historik Kombëtar. “Ju keni zgjedhur objektin, ngjarjen apo personazhin që për ju kishte më shumë rëndësi. Punimet tuaja janë të mrekullueshme dhe unë ju falenderoj që përmes zgjedhjes tuaj dhe punimeve tuaja , ju ndatë me në mendimet, emocionet dhe mbresat tuaja”.
U vlerësuan me certifikata shkollat 9-vjeçare “Gjon Buzuku”, “Hasan Prishtina”, “1 Qershori”, “7 Marsi”, “Konferenca e Pezës”, “Mihal Grameno”, “Avni Rustemi”, “Naim Frashëri”, “Kongresi i Manastirit” dhe “Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë “Ramazan Kabashi”.
Në përfundim të projektit “Vizatoj Historinë” u ndanë dhe këto çmime:
Çmimin e Parë e mori Klea Agalliu, shkolla “Konferenca e Pezës”, me vizatimin e skulpturës së një kapiteli antik.
Dy çmimet e dyta u takoi nxënësve: Ronaldo Sinanllari, Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë “Ramazan Kabashi” dhe Anja Çapini, shkolla “Naim Frashëri”,
Tre çmimet e treta i morën nxënësit: Livia Maili, shkolla “Gjon Buzuku”, Greta Korita, shkolla “Kongresi i Manastirit” dhe Klea Agalliu, shkolla “Hasan Prishtina”.
Çmimin e Facebook-ut me 564 pëlqime e mori nxënësi Doils Cani nga shkolla “7 Marsi”.