As në ditët e nxehta të verës dhe ditët e pushimeve të gushtit, Muzeu Historik Kombëtar nuk e ka ulur ritmin e veprimtarive të tij. Këtë fundjavë holli kryesor dhe Atriumi i Muzeut Historik Kombëtar u mbush nga zërat fëminorë. Në bashkëpunim me Sektorine Programeve Edukative, një grup fëmijësh të kopshtin “Smile”, të shoqëruar edhe nga dy mësuese, vizituan ambientet e këtij Muzeu. Nëpërmjet shpjegimeve të hollësishme të kuratorëve, fëmijët u njohëm me epoka të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, që fillonte me antikitetin dhe vazhdonte me mesjetën, Rilindjen Kombëtare e deri në ditët e sotme. Gjatë vizitës në pavijonin e Lashtësisë, fëmijët u përqëndruan më gjatë tek mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”. Ata treguan kuriozitet për gjithçka ndodhej e ekspozuar në vitrinat e këtyre pavijoneve. Në përfundim të guidës në sallat e Muzeut, fëmijët u zhvendosën në ambientet e Atriumit. Në një kënd të përgatitur enkas për ta, mbi një tavolinë pune ata gjetën lapsa me ngjyra dhe nga një letër formati ku ishte printuar si vizatim mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”. Në mënyrë individuale çdo fëmijë hodhi ngjyrat mbi vizatim, duke e konkrezituar në këtë mënyrë dhe mbresat e tyre për vizitën në Muzeun Historik Kombëtar.