Muzeu Historik Kombëtar dhe Ministria e Shtetit për Diasporën kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në hapjen e ekspozitës kushtuar migracionit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Emigrimit. Ceremonia e hapjes zhvillohet pranë Hollit Kryesor në Muzeun Historik Kombëtar më datë 18 dhjetor, ora 11.00.
Në këtë ekspozitë përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.
Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqipëtarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar. Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë.
Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë.
Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.