Botimet Toena në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar organizuan promovimin e romanit “Urrejtja gjysma e hakmarrjes” të shkrimtarit qipriot Emilios Solomou. Në panel ishte i pranishëm autori i romanit z.Emilios Solomu, z.Kristo Pulla përkthyes i romanit, shkrimtarja Diana Çuli, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, dhe znj. Irena Toçi nga Shtëpia Botuese “Toena”. Znj. Toçi ndër të tjera tha se: “Autori e ka herën e dytë që viziton Shqipërinë për të promovuar romanet e tij. Kemi dy romane brenda një romani, ku zhvillohen dy ngjarje një në vitin e largët 1870 dhe tjetra më 2013, të cilat ecin paralelisht”. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se, “Me anë të talentit të tij shkrimtari bën të mundur që këtë triller ekonomiko-politik ta paraqesë me anë të historisë”. Shkrimtarja Diana Çuli e cilësoi botimin si një roman që tregon për një punë gjigande e titanike, ku thyen rregullat e trillerit klasik. Në përfundim të promovimit autori i romanit “Urrejtja gjysma e hakmarrjes”, Emilios Solomou falënderoi të pranishmit.