Trajtimi i së kaluarës totalitare të Shqipërisë

Në takimin e organizuar nga OSBE me temë “Vendet e Kujtesës”, ku ishte e ftuar speciale Ministrja e Kulturës znj.Mirela Kumbaro, mori pjesë edhe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi.

Takimi u zhvillua me praninë e ambasadorit te OSBE-së në Tiranë, z.Bernd Borchardt, institucioneve dhe organizatave te shoqerise civile, ku vëmendja u fokusua tek çështjet që lidhen me “Vendet e Kujtesës”.
Në Muzeun Historik Kombëtar gjendet Pavijoni i Terrorit Komunist, i cili është një nga vendet e kujtesës ku qytetarët shqiptarë njihen me aparatin e dhunës dhe mohimin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Shqipëri për periudhën 1944-1990.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Koçi në prezantimin e shkurtër të institucionit theksoi se Pavijoni i Terrorit Komunist duhet të rikonceptohet për të pasqyruar më mirë zhvillimet e epokës diktatoriale. Për këtë arsye ai kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë me të gjithë institucionet shtetërore si me Institutin për Studimin e Krimeve për Komunizmin dhe Autoritetin e Lartë të Dosjeve por edhe me muezume të tjerë dhe aktorë të tjerë lokalë në mënyrë që Pavijoni ta pasqyrojë sa më afër së vërtetës ngjarjet dhe personazhet e kohës. Në fjalën e tij z.Koçi analizoi procesin e vështirë të transformimit të botëkuptimit të shoqërisë shqiptare përsa i përket së kaluarës komuniste.

“Në tekstet zyrtare të shkollave, historitë e artit dhe kulturës shqiptare përfaqësuesit më të denjë vazhdojnë të jenë elita kulturore e formuar në socializëm. Nëse në fillim të viteve ’90 përfaqësuesit më të denjë të kësaj elite arritën që nëpërmjet mistifikimit të lirisë personale të përgatisnin terrenin për një tranzicion të mundshëm të shoqërisë shqiptare nga socializmi e totalitarizmi drejt ekonomisë së tregut dhe individualizmit të spikatur të vlerave, tashmë nuk mund të mbajnë më mbi supe procesin ende të paformuar të një etike të re kulturore.

Boshllëku që lë modeli i etikës marksiste ka krijuar elementet paraprake për një model të etikës ulitariste në variantin e theksuar të hedonizmit, sepse për të pasur një model tjetër etik (për shembull etikës personale) shërben një përgatitje kulturore shumë e gjatë dhe një kulturë e promovimit të dinjitetit njerëzor, që sot mungon.

Mungesa e kësaj kulture dominuese për të inspiruar dhe përfaqësuar brezat e rinj të shqiptarëve është vërtet dëshpëruese dhe ka lënë një boshllëk të madh, aq sa në ligjërimin publik përdoren ende simbole dhe personazhe kulturore të së shkuarës. Për fat të keq, mungojnë analiza të plota dhe shteruese për të parë efektet e sistemit totalitar komunist mbi shqiptarët. Diktatura e partisë-shtet dhe ekonomia e planifikuar nuk duhen harruar, ashtu si nuk duhet lënë në harresë fakti që komunizmi ka ndikuar tejmase në praktikat shoqërore, duke skematizuar mënyrën e të vepruarit, çka do të thotë që transformimet shoqërore në Europën Qendrore dhe lindore varen jo vetëm nga përmbushja e objektivave të marrë përsipër për të realizuar, por në të njëjtën kohë edhe nga ndryshimi i botëkuptimit”.
Ky është takimi i katërt që OSBE zhvillon në kuadër të punës për nxitjen e një dialogu kombëtar për të kaluarën komuniste të Shqipërisë.

17309890_1450883694974399_2687096641117553768_n 17361573_1450883668307735_9198992121058618624_n 17457486_1450883688307733_5964391063748395193_n 17362835_1450883731641062_2679651740037891131_n

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *