Vetëm një Mjeshtër i Madh si regjisori Kujtim Gjonaj, i ndihmuar mjeshtërisht dhe nga dy skenariste Miradie Maliqi dhe Anxhelina Xhara, do të mund të hidhnin dritë mjaftueshëm për një nga figurat më të mëdha të Rilindjes Kombëtare, i cilësuar si i harruar. Për jetën dhe veprimtarinë e Josif Bagerit, nga Reka e Epërme, tanimë ka një film dokumentar. Nuk ka më errësirë, veprimtaria e tij është zbardhur. Por u takon studiuesve të thellojnë kërkimet mbi të.
“I fundmi i Rilindasve Josif Bageri” u shfaq premierë për publikun në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar. Më parë se kaq, për të pranishmit u prezantua dhe ekipi realizues. “Ky është një film shqiptaro-shqiptar” do të shprehej regjisori Kujtim Gjonaj duke bërë të ditur se dokumentari është realizuar falë financimit nga Agjencia për Film e Republikës së Maqedonisë dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
“Është në nderin e Muzeut Historik Kombëtar, si shtëpia më e madhe e kujtesës kombëtare, të bashkëpunojë për të lançuar një figurë kaq të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, sa ç’është Josif Bageri dhe mesazhet e tij”, tha në fjalën e tij të përshëndetjes Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi. Duke folur për veprimtarinë atdhetare të Josif Bagerit, Dr. Dorian Koçi do të theksonte: “Për herë të parë nëpërmjet kujtimeve të tij kemi edhe dokumentimin e hapjes së shkollës shqipe në fshatin e tij të lindjes Nistrovë të Dibrës, që sot ndodhet në territorin e Maqedonisë, ku u bëri thirrje bashkëatdhetarëve t’i çojnë fëmijët për të mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip. Popullsia e Rekës së Epërme, që i përkiste besimit ortodoks mbetet rasti i vetëm deri më tash i njohur, që arriti të mbante në të njëjtën kohë identitetin e vet fetar, përmes një përfaqësuesi të shquar të saj si Josif Bagëri”. Fjalën e mori gjithashtu dhe një nga bashkëskenaristet, Miradije Maliqi, e cila vlerësoi lart figurën e Josof Bagërit, njeriut që i dha aq shumë ndërgjegjes kombëtare.
Më pas të pranishmit ndoqën filmin dokumentar “I fundmi i Rilindasve Josif Bageri”.