Pas marrëveshjes së Dejtonit, për paqe në Bosnje, në nëntor të vitit 1995, Kosova nuk përmendej më ekskluzivisht në kancelaritë diplomatike të Evropës por dhe më gjerë. Çështja me Jugosllavinë e shpërbërë në mos quhej e zgjidhur përfundimisht, të paktën ishte futur në stanjacion përmes një armëpushimi të detyruar. Por pas protestave të tetorit 1997 iniciuar nga studentët e Prishtinës, faktori ndërkombëtar i ktheu sytë sërish nga ajo çfarë kish mbetur prej Jugosllavisë së dikurshme.
20 vite pas kësaj ngjarje në Muzeun Historik Kombëtar u çel ekspozita fotografike “1 Tetori përmes fotografive të kohës”. Nëpërmjet imazhit të 36 fotografive të përzgjedhura prej kuratorit Adem Rusinovci, transmetohet impakti që patën demonstratat e 1 tetorit 1997 në Prishtinë, Tetovë dhe Tiranë për Luftën e Kosovës. Në çeljen e kësaj ekspozite merrnin pjesë dhe ambasadori i Republikës së Kosovës Dr. Sylë Ukshini, Dekani i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Bujar Dugolli, i cili ishte dhe një nga pjesëmarrësit e lëvizjes studentore, por dhe Prof. Dr Arsim Sinani i cili gjithashtu ishte iniciator i lëvizjes studentore por këtë herë për studentët e Tetovës të cilët u solidarizuan me ata të Prishtinës.
“Kjo ekspozitë vjen në Tiranë pas suksesit që pati në Prishtinë ku u hap fillimisht. Imazhet na njohin me protestën e studentëve që do ti hapte rrugën masivizimit të UÇK-së por dhe të vetë ndërhyrjes së trupave të NATOS gjë që 2 vite më pas do të konkretizohej me tërheqjen e paramilitarëve dhe trupave të rregullta të ushtrisë serbe nga territori i Kosovës”. I këtij mendimi ishte drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi, i cili për më tej u detajua rreth kushteve social-politike në të cilën u zhvillua protesta studentore e 20 viteve më parë. “Sot kur kohët kanë ndryshuar shumë në favor të shqiptarëve në tërësi, sfidat e reja që na presin kanë të bëjnë me qeverisje më të mirë, për liberalizimin e vizave në Kosovë por dhe angazhimi i politikave mes Tiranës dhe Prishtinës për përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Malin e Zi, Maqedoni e Serbi”, tha në fjalën e tij Dr. Dorian Koçi
Nga ana e tij ish-kryetari i Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, tha se protestat studentore të vitit 1997 i ndërruan rrjedhën zhvillimeve politike të Kosovës, duke bërë jehonë të madhe ndërkombëtare. Dugolli tha gjithashtu se pa Lëvizjen Studentore të Prishtinës nuk do të mund të paramendohej lufta çlirimtare e cila rezultoi me lirinë e vendit.
Ndanë kujtimet e tyre rreth ditëve të zjarrta të protestat studentore dhe ambasadori Dr. Sylë Ukshini, Prof. Dr. Arsim Sinani si dhe kuratori i ekspozitës Adem Rusinovci.
Më 1 tetor të vitit 1997, rreth 20 mijë student të Universitetit të Prishtinës, vërshuan rrugët e kryeqytetit duke protestuar për dhunën e egër që ushtronte pushteti serb mbi popullin e Kosovës. Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi ishin në mesin e emrave që organizuan lëvizjen e vitit 1997 në Kosovë. Lëvizja Studentore ‘97 ishte një lëvizje jo e dhunshme studentore e studentëve të Prishtinës, e cila filloi më 1 tetor 1997, duke aplikuar metodat aktive të një rezistence civile. Kjo revoltë theu “status quon” dhe të gjitha tabutë e deriatëhershme duke e ndërkombëtarizuar dhe shtruar për zgjidhje çështjen e Kosovës.