Në kuadër të programit #EdukimiPermesKultures #MuzeuHistorikKombetardhe shkolla e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë organizojnë një aktivitet në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut
Gjergj Kastrioti mbërriti në Krujë, por këtë herë pa kalorësit e tij besnikë. E megjithatë kryetrimin shqiptar e shoqëroi një gardë e re pretoriane, nxënës pasionantë e plot talent, të veshur me tirqe, xhamadanë, e plisa të bardhë mbi kokë.
Gjithçka kishte të bënte me një dramatizim, ku në vend të logos me statujën e heroit në sfond, do të shkonin më mirë fjalët e moderatores: “Kamzhik për turqit, për armiqtë rrufe, sot këtë ditë ta kushtojmë ty Skënderbe”.
Duke shfrytëzuar programin “Edukimi përmes kulturës”, Muzeu Historik Kombëtar dhe shkolla e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë organizuan një aktivitet në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Një dokumentar i shkurtër mbi “Principatën e Arbërit” do të ishte prologu i aktivitetit, i cili më pas do të vazhdonte me trasmetimin e disa pjesëve nga filmi “Skënderbeu”, ndërsa qershia mbi tortë do të ishte vendosja e përshtatur për skenë nga ana e nxënësve të disa prej sekuencave të këtij filmi. I gjithë mozaiku e bëri më të larmishëm gjithë aktivitetin në fjalë.
Për mundësimin e këtij evenimenti, nxënësit falenderuan drejtorinë e gjimnazit “Sami Frashëri” dhe në veçanti drejtoreshën Teuta Dobi si dhe drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçin, i cili u mundësoi zhvillimin e aktivitetit duke vënë në dispozicion të tyre të gjithë bazën materiale.