“Një pasdite në muze!” me temë: “Rëndësia e Kongresit të Manastirit!”

Muzeu Historik Kombëtar, më datë 6 dhjetor 2018, ora 17.00, organizon veprimtarinë “Një pasdite në muze!” me temë: “Rëndësia e Kongresit të Manastirit!”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze!” ka për qëllim ngjizjen e një debati profesional në disiplina të ndryshme.

Për të referuar për këtë temë do të jenë të pranishëm Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe Dr. Rovena Vata, kriteke dhe studiuese e letërsisë/Pedagoge.

Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Për herë të parë pas kuvendeve, që u mbajtën në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe të Lidhjes së Pejës (1899-1900), u mblodhën në këtë Kongres përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.

Muzeu Historik Kombëtar organizon këtë takim shkencor-social me një natyrë periodike, për të përkujtuar figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane që kanë shkruar dhe kanë kontribuar për evidentimin e vlerave kulturore. Në këtë veprimtari do jenë të pranishëm dhe të ftuar, akademikë, studiues e miq, studentë dhe dashamirës të fushave të ndryshme.

Veprimtaria do të zhvillohet ditën e enjte, ora 17.00, pranë bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar.

Ju mirëpresim!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *