Lufta e Parë Botërore ka qenë në qendër të diskutimeve shkencore të një konference ndërkombëtare që u mbajt në sallën UNECSO të MuzeutHistorik Kombëtar. Konferenca ndërkombëtare “Lufta e Parë Botërore, – Shqiptarët, Ballkani, Evropa” u organizua nga fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Gjirokastrës dhe MuzeunHistorik Kombëtar. Pjesë integrale e aktivitetit ishin dhe shumë studiues nga Kosova.
Konferencën e hapi Dekane e fakultetit të Historisë, znj.Valentina Duka. Por përshëndeti gjithashtu në emër të Rektoratit edhe prof. Dr. Shezai Rokaj. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z. Melsi Labi, gjatë përshëndetjes së tij tha se dyert e institucionit që drejton do të jenë të hapura për njerëzit e artit, shkencës dhe historisë. “I drejtohem studentëve që do të jenë e ardhmja që të fillojnë e të vënë nga një gur në shkencën e historisë”, tha në përfundim të fjalës së tij z.Melsi Labi.
Kumtesat e përgatitura me këtë rast synonin të hidhnin sa më shumë dritë rreth kushteve politike, ekonomike e shoqërore të Shqipërisë në Luftën e Parë Botërore, ndërsa departamenti i Gjuhësisë u përqëndrua tek Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës si konfiduese e gjuhës zyrtare dhe si institucioni i parë shkencor në Shqipëri. 46 kumtesat e përgatitura me këtë rast u lexuan në dy ditë, 6 dhe 7 dhjetor 2016.