Pas tërmetit që preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, shumë banorë të qytetit të Durrësit dhe zonave të tjera, pas shpalljes si të pa banueshme të banesave të tyre, janë strehuar në hotel “Bonita”. Mes personave të prekur nga tërmeti ka dhe shumë fëmijë, të cilët pas situatës së krijuar ndodhen në një shok të vërtetë psikologjik. Për të kthyer sadopak buzëqeshjen fëmijëve që ndodhen në hotel por edhe të gjithëve banorëve aty, Muzeu Historik Kombëtar prezantoi disa nga projektet edukative të tij.
Një autobus i zakonshëm u kthye në një ekspozitë, ku fëmijët u njohën me historikun e disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore. Ekspozita e “Muzeut Lëvizës” përmbante riprodhime nga koleksionet muzeore të ruajtura në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike. Midis tyre fëmijët mundën të gjejnë vazo nga antikiteti, vegla muzikore, kostume popullore etj.
Projekti tjetër ishte ai me titull “Arkeologu i vogël”.
Fëmijët mësuan si të zbulojnë objektet e lashtësisë. Ata realizuan gërmime arkeologjike të improvizuara duke mësuar mënyrën e përdorimit të mjeteve arkeologjike dhe teknikën e gërmimit. Kjo iu dha mundësinë jenë arkeologë për një ditë dhe të bëjnë zbulimet e tyre për epokat kryesore historike shqiptare. Gjithashtu, ata kryen vizatime, ngjyrosje, forma me plastelinë etj.
Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, Muzeu Historik Kombëtar mundi të largojë sado pak trishtimin nga sytë e fëmijëve.