Kjo veprimtari arriti të krijojë një bashkëpunim me shkollat e mesme dhe të larta, duke sjellë më afër objektin muzeor tek studentët.
Në lektoriumin e sotëm u fol mbi shkëmbimin tregtar, i cili kishte një rol të rëndësishëm në jetën e fiseve ilire. Zhvillimi i shpejtë shoqëror dhe ekonomik i shoqërisë ilire, përfaqësohet nga monedhat, të cilat ndryshonin nga materiali, pesha, legjendat, simbolet dhe nga vlerat e tyre. Pjesëmarrja e gjerë në fushën ekonomike nga ilirët vërteton se zhvillimi ekonomik i Ilirisë kishte hyrë në një rrugë të re, ku gjëja e gjallë nuk formonte njësinë ekskluzive të llogaritjes në marrëdhëniet tregtare. Mirëqenia dhe forcimi ekonomik bëri që qendra të rëndësishme ilire si Dyrrahu e Apolonia, të hapin punishte monetare për prerjen e monedhave autonome. Krahas Dyrrahut dhe Apollonisë, hedhin në qarkullim prerjet e tyre edhe qytetet ilire Amantia, Bylis, Olympe, Orik, Skodra etj. Duke ngritur punishte monetare autonome, shtetet dhe qytetet ilire, që mbështeteshin tashmë edhe mbi një bazë të shëndoshë ekonomike, forcuan dhe përmirësuan më tej jo vetëm organizimin e tyre të brendshëm shtetëror, por i siguruan vetes, në këtë mënyrë një pozitë më të pavarur ekonomike e politike.
Qëllimi i leksionit ishte evidentimi i monedhave ilire, vendet e gjetjeve dhe simbolet e përdorura në to. Ato paraqesin anët më të dukshme të jetës së popullit, si aftësinë detare (anija liburne), karakterin luftarak (mburoja dhe përkrenarja), apo bujqësinë e blegtorinë si një nga burimet ekonomike kryesore të vendit (simbolizuar nga dhia, gruri, bleta etj.).