Në kuadër të programit #EdukimipërmesKulturës #MuzeuHistorikKombëtar organizoi aktivitetin “Muzeu im” në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Vorë.
“Edukimi përmes kulturës” shkon edhe në ambientet e shkollave, tashmë edhe në shkollat jashtë Bashkisë së Tiranës. Muzeu Historik Kombëtar shkoi sot, në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Vorë, për të zhvilluar aktivitetin “Muzeu im”. Nxënësit kishin sjellë nga shtëpitë e tyre objekte të vjetra, që në kalimin e viteve dashur padashur kanë marrë dhe vlera muzeale. Veshje popullore, monedha të ndryshme, medaljone apo dekorata, objekte bronzi apo edhe objekte zbukurimi do të përbënin mjetet e ekspozesë. Nxënësit ishin impenjuar për të nxjerrë nga errësira, ku mbaheshin të fshehura prej vitesh objekte që dikur ishin përdorur nga gjyshet apo gjyshërit e tyre. Eksperienca e nxënësve për risjelljen në vëmendje të objekteve të vjetra e që marrin vlera muzeale vjen si vazhdimësi e projektit “Muzeu im’’, inicuar nga Muzeu Historik Kombëtar. Në këtë projekt çdo qytetar mund të ekspozojë objekte të vjetra të trashëguara nga të parët e tyre. Ky projekt ka për qëllim që edhe qytetarët të jenë më afër muzeut dhe muzeu të jetë më afër shkollave duke sjellë sendet e tyre të vjetra.