Miqtë përshëndesin Hysen Hakanin, në arkivë depozitohet filmi i panjohur i tij “Hotel Pokrok”

“Një pasdite me regjisorin Hysen Hakani” titullohej ceremonia përkujtimore, e cila u mbajt në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar. Sollën kujtimet e tyre gjatë punës me Hysen Hakanin, regjisorët Kristaq Dhamo e Muharrem Fejzo, si dhe piktorët Ksenofon Dilo, Grigor Ikonomi e Haziz Karalliu. Ndërsa në ekranin e madh u shfaqën dhe një kolazh nga krijimtaria e tij.
Ndërkohë e gjithë ceremonia fshihte dhe një surprizë…
Pak kush e njeh historinë e filmit “Hotel Pokrok” dhe padyshim shumë më pak e dinë se çfarë trajton ai. “Hotel Pokrok” është një film me metrazh të shkurtër, i cili është realizuar nga regjisori Hysen Hakani në vitin 1956, kohë kur përfundoi studimet në Akademinë e Filmit në Pragë. “Hotel Pokrok” padyshim ishte si një ogur i mirë, guri i parë i themelit jo vetëm të krijimtarisë së tij personale, por dhe për gjithë kinemanë shqiptare, e cila në ato vite sapo kishte filluar të merrte jetë. Për shkak të kontributit të tij të hershëm, Hysen Hakani është cilësuar dhe si Pionier i Kinematografisë Shqiptare, ndërsa “Hotel Pokrok” mbetet të jetë “fëmija e parë” e këtij pionieri. Për 61 vite me radhë “Hotel Pokrok” ka qenë pjesë e arkivës në Akademinë e Filmit në Pragë, por tanimë ai u shfaq edhe për spektatorin shqiptar.
Regjisori Piro Milkani rrëfeu për të pranishmit se sjellja e filmit të parë të Hysen Hakanit në Shqipëri nuk ishte fort e lehtë, sepse gjithsesi, udhëtimi nga Praga në Tiranë ka dashur kohën e vet, por ky amanet i regjisorit shqiptar arriti të përmbushej. Filmi “Hotel Pokrok” iu dorëzua drejtoreshës së Arkivës, Elvira Diamanti.
Ndërsa në emër të Muzeut Historik Kombëtar, dhe të vetë drejtorit të tij z.Dorian Koçi, përshëndeti shefi i sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve, z.Ledio Xhoxhi, i cili mes të tjerash tha se Muzeu Kombëtar është vazhdimisht i hapur për këto lloj veprimtarish, e më gjerë.
Në fund të ceremonisë, të pranishmit vizituan dhe një ekspozitë fotografike nga puna e regjisorit Hysen Hakani si dhe nga krijimtaria e tij artistike.

21273306_1655566561172777_4904861411171255290_o 21316171_1655566271172806_6202898767644309905_o 21273596_1655566041172829_241233312615001817_o 21318998_1655562421173191_4684793828662934127_o 21273649_1655562231173210_9166794052423508898_o 21319008_1655563884506378_4440384227403760507_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *