Një nga institucionet e para që preferoi të vizitojë Ministri Japonez i Shtetit për Punët e Jashtme Nobuo Kishi, ishte Muzeu Historik Kombëtar. Ai ndodhej në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Ambasadës së Japonisë në Shqipëri, e gjithashtu dhe në ceremoninë e dhurimit nga Qeveria Japoneze të 129 automjeteve japoneze të prodhimit të fundit. Por, nuk do të mbaronte me kaq. Zyrtari i lartë japonez në vizitën e tij të parë në Tiranë do të interesohej edhe për historinë e vendit me të cilën Japonia do të vendoste marrëdhënie të drejtpërdrejta diplomatike duke akredituar kështu një ambasador. Makoto Ito, ambasadori i parë rezident në Shqipëri, do të ishte dhe ndiqte Ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme në vizitën që ai do të bënte në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.
Gjatë vizitës së tij Ministri japonez i Shtetit për Punët e Jashtme Nobuo Kishi, u shoqërua nga Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi si dhe z.Ledio Xhoxhi, Përgjegjës i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi e njohu zyrtarin e lartë japonez me historinë e Shqipërisë prej antikitetit e deri në periudhën e gjenocidit komunist, duke kaluar kështu në mënyrë të hollësishme të shtatë pavijonet e Muzeut. Ministri japonez tregoi interes për të gjitha objektet dhe periudhat e pasqyruara në Muze, ndaj dhe në shpjegimet e guidës së gjatë dhe të kujdesshme u përfshi edhe z.Ledio Xhoxhi, Përgjegjës i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve.
Në fund të kësaj vizite Ministri Japonez i Shtetit për Punët e Jashtme Nobuo Kishi la në librin e përshtypjeve të Muzeut edhe një shënim vlerësues.