Menaxhimi i trashëgimisë kulturore, kërkohen modele konkrete për implementim

Vizion i ri në bashkimin kulturor me Europën. Ky ishte qëllimi kryesor i një workshop-i, që Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi në sallën UNESCO, në bashkëpunim me Universitetin Macerata-s, Institutin e Arkeologjisë, Rajonin Marche dhe Institutin Italian të Kulturës. Tema e këtij workshop-i të organizuar ishte “Projekti i Adriatikut: mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e sistemit të trashëgimisë kulturore”. Ndërsa qëllimi i këtij aktiviteti, është të bashkojë përvoja të ndryshme, shqiptare dhe italiane, në çështjet e menaxhimit dhe vlerësimit të trashëgimisë kulturore, me qëllim identifikimin e projekteve të përbashkëta.

Konferencën e përshëndeti Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila analizoi gjendjen aktuale të trashëgimisë kulturore, duke theksuar se duhet pasur kujdes në këtë bashkëpunim për ligjin, “dhe nuk nguroj të them të vërtetën se ne shpesh i jemi referuar modelit ligjor të Italisë”, tha ministrja Kumbaro. Sipas znj.Kumbaro rivlerësimi i trashëgimisë kulturore, e harruar deri sot, do të shërbejë jo vetëm si një rigjallërim i jetës kulturore dhe sociale në të gjithë territorin, por edhe si një bazë e bashkëpunimit kulturor ndërkufitar dhe ndërajonal. “Nuk mund të jemi të lumtur për Trashëgiminë Kulturore, por gjithsesi ne e kemi përmirësuar atë. Ndërkohë dua tu ftoj që këto projekte të mos mbeten në formë pyetje: Çfarë duhet të bëjmë. Ju ftoj të na sillni modele konkrete” iu drejtua Ministrja Kumbaro partnerëve italianë të këtij workshopi.

Ambasadori i Italisë Alberto Cutillo e konsideron si një mision që i shërben futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian projektin e Adriatikut. “Për mua është një kënaqësi që të prezantoj aktivitetin një javë pas inaugurimit të ekspozitës dedikuar aktivitetit të zbulimeve arkeologjike të realizuara në Shqipëri nga bashkëpunimi ndërmjet arkeologëve shqiptarë dhe italianë, edhe pse në atë rast, ndoshta është kuptuar që unë kam mëshuar fort në rolin tim që ishte prezantimi i aktiviteteve shkencore dhe duke e paraqitur misionin tonë si një mission që punonte përtej kërkimit të thjeshtë shkencor”.

“Sistemi i muzeve shqiptarë drejt një projekti për rrjetëzimin e tyre”, ishte projekti i prezantuar nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi.Duke u nisur nga shqetësimet dhe problemet e kohëve të fundit, kemi krijuar bindjen se sistemi muzeor shqiptar, ka nevojë për një ristrukturim tërësor, prandaj mendoj se ka ardhur çasti i përshtatshëm për ndryshime rrënjësore në këtë drejtim. E kërkon koha për të promovuar Qendrën Kombëtare të Muzeologjisë, e cila do të shërbejë si rregullator i gjithë sistemit të muzeologjisë shqiptare”. Melsi Labi tha gjithashtu se domosdoshmëria e krijimit të Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë i jep një zgjidhje juridike dhe praktike, duke u konsideruar edhe si një çështje e mirëfilltë shkencore. “Synim parësor i Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë, do të jetë ristrukturimi tërësor i sistemit muzeor shqiptar. Sistemi muzeor është i lidhur me turizmin, prandaj duhet t’i përgjigjet kërkesave të kohës, në kushtet e globalizmit dhe të një shoqërie të hapur”, përfundoi ai.

Një nga koordinatorët e konferencës arkeologu Luan Përzhita, i cili është dhe drejtori i Institutit të Arkeologjisë foli për qëllimin e projektit, duke cituar se “të bashkohen të gjitha vendet e Adriatikut në këtë projekt”.

Ndërsa studiuesi Italian Roberto Perna vërejti se duhet të thellohemi më tej në kërkimin akademik shkencor duke bashkëpunuar me studiuesit e arkeologët e të dyja vendeve, Itali-Shqipëri.

Gjatë ditës së parë të workshop-it “Projekti i Adriatikut: mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e sistemit të trashëgimisë kulturore” morrën fjalën edhe Marina Maurizi, e cila u prezantua me temën “Bashkëpunimi mes Rajonit të Markeve dhe Shqipërisë”, Carlo Pesaresi prezantoi temën “Projekti Adriatik për zhvillimin e bashkëpunimit italo-shqiptar, në sektorin e pasurisë kulturore dhe të ICT”, drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror, Gjet Ndoj, referoi temën “Pasuria dokumentaro-arkivore, si një nga thesaret më të çmueshme të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”. Në fund të ditës së parë të workshop-it u prezantuan edhe projektet e realizuara nën koordinimin e DRKK Gjirokastër dhe Universitetit të Maceratës.

Workshop-i “Projekti i Adriatikut: mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e sistemit të trashëgimisë kulturore” vazhdon edhe gjatë ditës së sotme duke filluar në ora 15.00 në ambientet e sallës UNESCO në Muzeun Historik Kombëtar.
DSCF3240 DSCF3268 DSCF3281

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *