“Lufta e Parë Botërore; Traktati i Fshehtë i Londrës dhe Shqipëria” përkujtohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

  Në kuadër të 103-vjetorit të Traktatit të Fshehtë të Londrës, Muzeu Historik Kombëtar organizoi aktivitetin “Një pasdite në muze!” me temë: “Lufta e Parë Botërore; Traktati i Fshehtë i Londrës dhe Shqipëria”. Referoi rreth kësaj teme Prof.As.Dr. Ledia Dushku, Përgjegjëse Departamenti në Institutin e Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Në emër të drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, përshëndeti z. Ledio Xhoxhi, përgjegjës i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve. Në fjalën e saj, Prof. Ledia Dushku theksoi se rivaliteti midis Fuqive të Mëdha arriti kulmin në vitin 1914, duke bërë që ato t’i drejtonin burimet e tyre, jo të pakta ekonomike e teknologjike, në industrinë e luftës. Pika qendrore e Luftës së Parë Botërore ishte konflikti anglo-gjerman, e cila zgjati për shkak të rivalitetit midis Anglisë dhe Gjermanisë. Në përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet Fuqive të Mëdha, detyrat strategjike morrën përparësi ndaj afrive ideologjike. Kajzeri gjerman Vilhelmi II dhe Perandori Franc Jozef I ishin thellësisht konservatorë dhe kundër demokracisë. I të njëjtës linje ishte edhe Cari i Rusisë. Ata i bashkonte dashuria për autokracinë dhe urrejtja për parlament. Megjithatë, Rusia u bë aleate e Francës republikane dhe e Britanisë së Madhe liberale. Nevojat e Rusisë për të kontrolluar ngushticat binte ndesh drejtpërdrejt me synimet e Gjermanisë për të zotëruar Perandorinë Osmane. Znj. Dushku tha se Ballkani ishte një front i rëndësishëm lufte për të dyja blloqet, i cili do të jepte dhe rezultatin final të luftës. Italia në fillim mbajti një rol asnjëanës duke mos u pozicionuar në asnjë bllok. Si fillim, për të tërhequr drejt vetes Italinë u përpoq Austro-Hungaria, duke i premtuar asaj territore. Por, Italia kishte hyrë në bisedime paralele edhe me Antantën, e cila mundi t’i ofronte më shumë se Trepalëshi, duke arritur një aleance me të. Ndër të tjera Prof.As.Dr. Ledia Dushku tha se Traktati ose “Pakti” i Fshehtë i Londrës ishte oferta me anën e të cilit, Anglia dhe Franca bindën Italinë të hynte në luftë në anën e Antantës. Traktati u nënshkrua më 26 prill 1915 dhe përmbante 16 nene, ndër të cilat pikat 5, 6 dhe 7 kishin të bënin me çështjen shqiptare. Pas nënshkrimit të Paktit, më 24 maj 1915, Italia i shpalli luftë Austro-Hungarisë.

Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze” arriti krijimin e një debati ndëraktiv midis nxënësve të gjimnazit “Ismail Qemali”, ku nuk munguan pyetjet e shumta dhe mjaft interesante nga pjesa më e madhe nxënësve të pranishëm.

31404369_1932899950106102_3594784569011732480_n31354657_1932899690106128_1282881094655410176_n31434037_1932899833439447_5811228787441926144_n31392629_1932899906772773_5368963446488432640_n

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *