“Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës” me autor Jacques Baudouin

“Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës” me autor Jacques Baudouin vjen si një rrëfim për të na treguar se udha drejt demokracisë është gjithmonë e gjatë dhe e vështirë. Një libër i ri për Hashim Thaçin si protagonist të luftës dhe paqes në Kosovë, me parathënie të Bernard Kouchner dhe pasthënie nga Dan Everts. Libri u përkthye nga Shtëpia Botuese “Buzuku”’.
Ngjarjet që nisën në Kosovë në shkurtin e vitit 1998 arritën të shkulin nga mendjet e ngurta idenë totalitariste se për shqiptarët ka vetëm një rrugë dhe kjo është rruga paqësore. Në mendimin shqiptar ndodhi një progres i vërtetë kur u pranua më së fundi se duhen provuar të gjitha rrugët. Në fakt kjo qe thjesht njohje e një realiteti.

Shqiptarët e Kosovës u ngritën në një luftë popullore sepse durimi i tyre u sos dhe shpresat që kërkesat e tyre do të gjenin dëgjesë në botë thjesht duke i nyjëtuar si vullnet politik, u shuan. Këto ngjarje bënë që cështja shqiptare në Kosovë të diktohet si cështje ndërkombëtare.
“Nuk kam qenë kurrë aq i lumtur sa në Kosovë”, shkruan Bernard Kushner në ‘Les Guerriers de la paix’ në 2004. Kjo sepse atje, shprehet ai në parathënien e librit “Lindja e një demokracie” të Jacques Baudouin, ndjehesha i dobishëm. Dhe kur para 10 vitesh, vazhdon ai, Kosova u bë e pavarur dhe kjo pavarësi u njoh nga shtetet kryesore të botës, kam menduar se ne ishim treguar të përgjegjshëm dhe të vendosur.

Sot, ky libër u promovua në ambientet Muzeut Historik Kombëtar mes studiuesish, diplomatësh dhe dashamirës. Gjithçka në këtë libër, me protagonist Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilin përshkruhen ngjarjet e korrikut 1999, dhe ku pas njëmbëdhjetë javëve të bombardimeve Sllobodan Milosheviç kapitullon duke braktisur Kosovën.

Për të folur mbi këtë libër ishte një panel i zgjedhur, i përbërë nga: z.Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës; z.Sylë Ukshini, Ambasador i Kosovës në Tiranë; Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, si edhe autori i librit Jasques Baudouin.

Fjala e hapjes u bë nga Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, i cili u shpreh se: “Libri rrëfen historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, realizimin e proçeseve mjaft të rëndësishme historike për të ardhmen e vendit si dhe autori na ofron një tablo tjetër duke qëndruar larg hipokrizisë që përdoret mbi këtë ngjarje”.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh në fjalën e tij se: “Nëpër faqet e këtij libri shpalosen me përpikmëri akademike e kronologjike e gjithë rrokopuja e prishjes së Jugosllavisë, agresioneve serbe në Kroaci e Bosnjë, Konferenca e Dejtonit, Lindja e UÇK-së, Konferenca e Rambujesë, bombardimet ndaj Serbisë rezoluta e Kombeve të Bashkuara, diplomacia interaktive, dorëzimi i kasapit të Ballkanit-Millosheviçit hyrja e trupave të KFOR-it, pakoja Ahtisari e së fundi Shpallja e Pavarësisë së Kosovës”.

Autori i librit Jasques Baudouin u shpreh se: “Gjatë shkrimit të këtij libri u përpoqa të isha neutral por duke pasur parasysh vuajtjet që ky popull ka kaluar, më bënë të isha krahë, doja të luftoja të gjitha thashethemet propagandistike të gabuara mbi këtë vend e këtë popull, që donin të tjetërsonin historinë dhe realitetin”.

64757661_2621190204610403_1314781397310767104_o 64635462_2621190121277078_2819083539432079360_o 64323576_2621190007943756_1890885199177187328_o 62452707_2621190541277036_7904077148606955520_o 62599866_2621190271277063_5362796500516601856_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *