Instrumentet e vjetra muzikore të shqiptarëve vijnë në një ekspozitë të koleksionistit Ermal Sela, çelur në Muzeun Historik Kombëtar

“Ndërsa për një hero të lashtësisë këndohej me harpë, për kreshnikët shqiptarë të mesjetës këndohej me lahutë, dhe një vegël të tillë muzikore sot e kemi pjesë të kësaj ekspozite”. Kështu do të shprehej Dr. Dorian Koçi në përshëndetjen e tij për ekspozitën “Midis Shekujsh”, e cila u çel në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Më parë se kaq, hapjes së ekspozitës i parapriu dhe një konferencë për shtyp, ku interesit të gazetarëve iu përgjigjën drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi, koleksionisti Ermal Sela dhe kuratori i ekspozitës Klajd Ymeri.
“Midis Shekujsh” titullohet ekspozita e një koleksioni instrumentesh muzikore të shekullit XIX-XX të përdorura në territorin shqiptar. Të gjitha veglat janë pjesë e koleksionit privat të Ermal Selës. Koleksioni përmban mbi 170 vegla muzikore popullore duke treguar përmes tyre historinë muzikore të një kombi. Aty ka vegla membranofone, idiofone, kordofone dhe aerofone. Shumë vegla të këtij koleksioni janë të rralla dhe kanë dalë nga përdorimi.
Duke e konsideruar si një ekspozitë të veçantë, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi tha se një nga misionet e Muzeut ishte pikërisht ekspozimi i trashëgimisë kulturore shqiptare gjë që u jep mundësi vizitorëve të shumtë të njihen më nga afër me vlerat e punimeve artizanale, në rastin konkret të veglave muzikore. Për më tej Dr. Dorian Koçi do të thoshte se hapja e kësaj ekspozite në muajin nëntor, merrte një vlerë të veçantë, pikërisht se për shkak të ngjarjeve të shënuara të këtij muaji, Muzeu Historik Kombëtar vizitohej nga mjaft shqiptarë tek kufijve shtetërorë dhe nga nxënës të shumtë, ku padyshim interes do të përbënte dhe “Midis Shekujsh”.
Autori i kësaj ekspozite, z.Ermal Sela, pasi bëri një përshëndetje të veçantë për Ministrinë e Kulturës dhe vetë Muzeun Historik Kombëtar tha se, ishte nisur i vetëm në këtë rrugëtim, i cili nuk përfundonte me hapjen e kësaj ekspozite, por që më të ishin bashkuar dhe artizanë, njerëzit të cilët vazhdonin të mbanin gjallë punimin e veglave popullore muzikore. Ai shtoi se kishte mbi shtatë vite që mblidhte dhe ruante këto vegla, ndërsa do të theksonte se ekspozita në fjalë ishte vetëm fillimi i një projekti shumë të madh e në vazhdim.
Me këtë rast në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, dy instrumentistë luajtën për të pranishmit me veglat muzikore të prodhuar nga duart e tyre, pjesë e këtij koleksioni.
Kuratori i ekspozitës, skenografi i njohur Klajd Ymeri tha se ekspozita “Midis Shekujsh” ishte sa e veçantë aq edhe befasuese. Ai vlerësoi punën e bërë nga koleksionisti Ermal Sela duke shtuar së fundmi se në Muzeun Historik Kombëtar merr vlera më të mëdha pikërisht sepse u hap dyert të tilla evenimenteve.
Ekspozita “Midis Shekujsh” e cila do të jetë e hapur për vizitorët në datat 11 deri në 15 nëntor, shoqërohet edhe me një katalog e cila është mbështetur nga Ministria e Kulturës. Në këtë katalog paraqiten me foto dhe përshkrim të gjitha veglat që do të shfaqen në ekspozitë.

23434842_1733962393333193_9068917763242885201_n 23415360_1733962286666537_5332492022635541938_o 23511137_1733962759999823_5918503147102938823_o 23472836_1733962629999836_9102497911127536712_n 23456306_1733962493333183_415925302552138293_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *