Në kuadër të 110-vjetorit të Kongresit Kombëtar të Elbasanit dhe 110-vjetorin e hapjes së Shkollës Normale, Muzeu Historik Kombëtar çeli për publikun ekspozitën me titull “Kongresi i Arsimit Mbarëkombëtar Shqiptar”.
Kjo ekspozitë fotografike dhe dokumentare shpalos rrugëtimin e shkrimit të gjuhës shqipe, si dhe momente nga Kongresi i Elbasanit. Ky i fundit u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut, ndërsa me përgatitjen e tij të drejtpërdrejtë u morën klubet “Bashkimi” e “Vllaznia” të Elbasanit. Kongresi u hap më 2 shtator të vitit 1909 dhe i vijoi punimet deri më 8 shtator.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi u shpreh se: “Në ekspozitë prezantohen disa prej delegatëve, përfaqësues të klubeve dhe të shoqërive shqiptaretë qyteteve të Shqipërisë, si Tirana, Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri etj. Midis delegatëve të Kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, si edhe mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Mithat Frashëri etj. Akti themelor i Kongresit të Elbasanit ishin Vendimet ose, siç u quajt ndryshe, Rezoluta prej 15 nenesh, që u miratua dhe u nënshkrua nga të gjithë delegatët. Një nga masat më të rëndësishme të kësaj Rezolute ishte çelja në Elbasan në vjeshtën e atij viti e një Shkolle Normale (pedagogjike), me gjashtë klasa, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe”.
Në ekspozitë u prezantuan objekte nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar. Këto ishin objekte të disa prej delegatëve pjesëmarrës në Kongres apo patriotëve që kanë shërbyer si mësues në Normalen e Elbasanit, si: Luigj Gurakuqi, Thanas Floqi, Kristo Dako etj. Kongresi i Elbasanit, përveç rëndësisë historike kulturore e politike shqiptare, ka edhe rëndësi për afirmimin ndërkombëtar të kombit shqiptar.